Pamje: Arbër Xhekaj e zhdëp mirë me grushte kanadezin Kassian gjatë një ndeshje hokeji
Ylli i Canadiens Arbër Xhekaj iu dhuroi goxha njëfarë shfaqjeje tifozëve kanadezë të enjten në Bell Centre, duke e zhdëpur në dru kanadezin Zack Kassian.
Xhekaj, i lindur në Kanada nga një baba shqiptar i Kosovës, u përlesh me Kassian dhe rezultati ishte hiç më pak pos një mbizotërim i pastër i Xhekajt.
Kjo ishte lufta e parë në sezonin e parë zyrtar të 21-vjeçarit në Ligën Kombëtare te Hokejit dhe e 40-ta për Kassian në karrierë, por ajo nuk zgjati shumë dhe përvoja nuk i ndihmoi aspak kanadezit, pasi Xhekaj ia dha dy grushte të pastra me të djathtën.
Kassian reagoi shpejt ndaj dhimbjeve që ia shkaktoi lojtari me prejardhje nga Kosova, por prapëseprapë nuk i shpëtoi goditjeve të tij në vijim.
ARBER XHEKAJ JUST DESTROYED ZACH KASSIAN!! 🤯 #GoHabsGo
— Nathan “Grav" (@NathanGraviteh) October 20, 2022
pic.twitter.com/ExTPqp0QIB
Pas luftës, Kassian e braktisi fushën e akullit për ta mjekuar një lëndim në dorë, ndërsa Xhekaj u përjashtua nga loja për pesë minuta për shkak të përleshjes.
Xhekaj ka filluar të bëjë goxha emër në Ligën Kombëtare të Hokejit në Kanada. Ai e mori vëmendjen e tërë organizatës së Senatorëve të Otavës kur e nokautoi lojtarin me perspektivë Zach Massicotte gjatë një turneu në Buffalo.
Xhekaj, me gjatësi 193 centimetra dhe peshë 110 kilogramë, nuk është lojtari më i madh në Ligën Kombëtare të Hokejit, por është në rrugë të mirë për t’u bërë më i forti, veçanërisht nëse vazhdon t’i rrëzojë një nga një vetëranët e ligës elitare kanadeze të hokejit siç bëri me Kassian.

A lejohet përleshja mes lojtarëve të hokejit?
Përleshja mes lojtarëve të hokejit mbi akull ka qenë pjesë e pranueshme në hokejin profesional tash e 100 vjet. Teknikisht, të rrihesh me kundërshtarin është kundër rregullave, por ndëshkimi nuk është i madh siç është në sportet e tjera.
I vlerësuar si pjesë e kulturës së hokejit, dyluftimi është pjesë e asaj që njihet si “Kodi” në Ligën Kombëtare të Hokejit.
Ndëshkimi më i madh me të cilin përballet një lojtar është përjashtimi nga loja, por përfshirja në një rrahje zakonisht ndëshkohet me atë që njihet si “ndëshkim i madh”, që nënkupton largim nga loja për 5 minuta.