Ousmane Dembele bën heroin, Barcelona triumfon ndaj Atletico Madridit
Barcelona ka arkëtuar pikët e plota në derbin kundër Atletico Madridit, sa i përket xhiros së 16-të në La Liga.
Katalunasit dominuan në posedim, me Atleticon që kishte më shumë raste drejtë portës, por në fund mysafirët shijuan fitoren me rezultat 0:1.
Ndeshja në fillim ishte shumë e baraspeshuar, duke u zhvilluar në mesfushë me dy klubet që provonin të ndërtonin aksione.
Pedri dribloi mes tre futbollistëve duke ia pasur Gavit, i cili gjeti për mrekulli Ousmane Dembelen dhe ky i fundit e dërgoi topin në rrjetë (22').
Pas golit të pësuar, Atletico mori ndeshjen në "dorë" duke rrezikuar përmes Gimenez, Griezmann dhe Mandava - të gjithë kishin disa raste të shkëlqyeshme, mirëpo Ter Stegen me super pritje arriti t'ua mohojë golin.
Në pjesën e dytë, Barcelona prapë e nisi më mirë atë duke shënuar përmes Ferran Torres, por goli i spanjollit u anulua për pozitë jashtë loje.
Në fund situata u tensionua me Stefan Savic që u ndëshkua direkt me karton të kuq (90+2'), ku nisën disa protesta dhe përplasje, ku si pasojë u largua nga loja edhe Ferran Torres i Barcelonës.
Sidoqoftë, falë kësaj fitore Barcelona tani ikën plus tre pikë nga Real Madridi duke numëruar 41 pikë në kreun e tabelës. Në anën tjetër, Atletico Madrid renditët në pozitën e pestë me 27 sosh.
Në xhiron e radhës, Atletico Madrid do të jetë mysafir i Almerisë, derisa Barcelona do të udhëtojë për në Arabinë Saudite - ku do të luajë ndaj Real Betisit sa i përket Superkupës së Spanjës.