Opozita kërcënon me bojkotimin e garave, nëse kuvendi zgjedhor i FFK-së nuk shpallet i jashtëligjshëm - NACIONALE

Opozita kërcënon me bojkotimin e garave, nëse kuvendi zgjedhor i FFK-së nuk shpallet i jashtëligjshëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktualisht është duke u mbajtur Kuvendi Zgjedhor për president të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kandidati i vetëm për këtë post është Agim Ademi, i cili fitoi edhe mandatin e dytë, me 42 vota pro.

Sidoqoftë, situata u përcoll me rrethana kontraverse të refuzimit të kandidimit të Gramoz Vokrrit, i cili ka ndërmarrë edhe hapa ligjor kundër këtij refuzimi, i cili erdhi si rrjedhojë e disa nënshkrimeve "të pavlefshëm", siç u quajtën nga FFK.

Përveç kësaj, u kritikua zëshëm edhe vendimi i FFK-së për të mos lënë prezencën e medieve brenda Kuvendit Zgjedhor, të cilin e bojkotuan plot 15 delegatë, ani pse eventi u transmetua direkt në Art Motion.

Dhe, së fundmi, ka reaguar edhe opozita, përmes Valon Zymberit, drejtor sportiv i klubit Drita, duke 'kërcënuar' me bojkot garash nëse ky Kuvend nuk shpallet i jashtëligjshëm, e që - normalisht - nuk ndodhi.

“Sot është dashur të jetë një ditë feste, por nuk ju kanë lejuar as ju mediave të hyni aty. Andaj, më e keqja është cenimi i lirisë së shprehjes, edhe me votë. Ne si grup që mendojmë ndryshe jemi grup që nuk e mbështesim këtë Kuvend sepse opinioni ligjor ka thënë se është i paligjshëm. Në shenjë të respektit të ligjeve të sportit, s’kemi marrë pjesë në atë Kuvend”, theksoi fillimisht Zymberi para medieve.

Ai e konfirmoi edhe një herë mbështetjen e opozitës për kandidatin Gramoz Vokrri, të cilit nuk iu lejua kandidimit pasi FFK-ja konsideroi se disa prej nënshkrimeve nuk i kishte të vlefshme.

“Ne na është mohuar e drejta elementare e kandidimit të kandidatit tonë Gramoz Vokrri. FFK-ja ka treguar mendësi totalitare. “Ne jemi po ata delegatë që e kemi mbështetur Vokrrin dhe jemi këtu e nuk jemi në atë Kuvend. Do të jemi deri në fund në mbështetje të Gramozit dhe nuk e mbështesim një Kuvend të paligjshëm”, vazhdoi ai.

Sipas të njëjtit, përveç 15 delegatëve që janë kundër këtij Kuvendi, ka edhe të tjerë.

“Kemi dashur të jemi vetëm delegatët që kemi dhënë publikisht nënshkrime për Vokrrin. Nuk e di a ka ai Kuvend kuorum dhe i ftoj organet ta monitorojnë me kujdes sepse po e mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm”, nënvizoi ai.

Zymberi po ashtu e shprehu dyshimin të ketë pasur manipulime me delegatë, pasi sipas tij, nëse pala tjetër i ka 43 nënshkrime, e 15 janë në opozitë dhe 7-8 të tjerë nuk kanë shkuar në Kuvend, i bie që kalohet numri i 58 delegatëve të mundshëm.

Sidoqoftë, Ademi pak do t'i interesojë kjo, teksa iu drejtua të pranishmëve në Kuvend, pasi u rizgjodh president, duke thënë:

"Besoj që ko me ia kthy besimin edhe atyre që janë kundër. Unë jam një nga ju, mos harroni se vi nga klubet dhe jam një nga ju. Jam në familjen time, jam në shtëpinë time, por jam edhe në zanatin tim. Sepse jam që një jetë në futboll".

Lajme të ngjashme