Odegaard: Bëra mirë që u largova nga Real Madridi
Ylli i Arsenalit Martin Odegaard s’është penduar për largimin nga Real Madrid.
Norvegjezi është duke shkëlqyer te “Topçinjtë”, ku është edhe kapiten i skuadrës derisa klubi londinez po e tenton titullin kampion këtë sezon.
Së fundmi, Odegaard është pyetur për kohën te Real Madrid ku tregoi se s’është pishman që është larguar.
“Koha ime te Real Madrid ishte e mirë. Ndoshta disa njerëz mund të mendojnë ndryshe, por ishte një fazë pozitive”.
“Kam mësuar shumë, jam bërë më i matur dhe kisha mundësinë të stërvitesha me disa nga lojtarët më të mirë në botë. Por, në fund ishte vendimi më i mirë për t’u larguar sepse duhet të luaja më shumë”.
“Doja të përmirësohesha. Luajta në Madrid dhe e shijova. Ndoshta mundësia erdhi shumë herët, por ishte eksperiencë e mirë. Jam i lumtur me vendimin e bërë dhe si shkoi. Nëse s’do të largohesha nga Madridi, nuk do ta mbërrija nivelin që jam sot”, nënvizoi Odegaard.
24-vjeçari ka zhvilluar 117 paraqitje zyrtare për Arsenalin, ku ka shënuar 28 gola dhe kontribuar me 16 asistime.