Obobo, ç’është kjo? Edi Rama paraqet projekt-idenë e Akademisë së Manchester Cityt në Durrës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim të tij në Facebook dje, ka paraqitur një projekt-ide të Akademisë së Manchester Cityt në Durrës, që pritet në vitet e ardhshme të jetë një nga komplekset më të bukura në rajon.
Rama me anë të disa fotove prezantoi se si do të duket Akademia e Manchester Cityt në qytetin shqiptar të Durrësit.

Kjo akademi pritet të shpërndahet në 80 hektarë tokë dhe do të mbajë emrin ‘Kampusi Etihad’, pak a shumë si stadiumi i Manchester Cityt, që quhet Etihad Stadium.

Akademia në fjalë që pritet të ndërtohet në disa vite, do të jetë me të gjitha kushtet moderne dhe do të ketë vend për mbi 400 të rinj që të tregojnë aftësitë e tyre, ku talentet që bien në sy, mund të përzgjidhen që më pas të veshin fanellën e ekipit të parë, ashtu siç funksionojnë akademitë rreth botës.

Manchester City do të jetë skuadra e parë që investon kaq shumë në një vend si Shqipëria, pasi siç e dimë ashtu si në Kosovë, mungojnë akademitë e tilla, me kushte pothuajse në perfeksion për të rinjtë, ku ata mund të tregojnë kualitetet e tyre.

Në postimin e Kryeministrit Rama nuk është cekur ndonjë datë se kur pritet projekti të fillojë apo diçka e tillë.