“Nuk thashë se po largohem” – Guardiola i pavendosur për të ardhmen te City
Trajneri i njohur spanjoll, Pep Guardiola thotë se mund të qëndrojë në Manchester City përtej fundit të sezonit.
Kontrata e menaxherit Guardiola skadon në fund të sezonit të ardhshëm, shkruan BBC.
Pas suksesit historik të katërt radhazi të Cityt për titull në Premier League, Guardiola ngriti dyshime mbi të ardhmen e tij, pasi kishte thënë se ishte "më afër largimit sesa qëndrimit".
Spanjolli ka qenë në krye të Cityt për tetë sezone dhe ka fituar ligën në gjashtë raste, pjesë e një numri të përgjithshëm prej 17 trofesh.
Duke folur me gazetarët në Nju Jork përpara ndeshjes parasezonale të Cityt me AC Milan në Yankee Stadium të shtunën, Guardiola tha se asgjë nuk ishte vendosur.
“Nuk thashë që po largohem…Nëntë vite në të njëjtin klub janë një përjetësi. Nuk e përjashtoj vazhdimin e kontratës. Dua të jem i sigurt se është vendimi i duhur për klubin dhe lojtarët…
Kur të vendos, do të flas me drejtorin tim dhe drejtorin sportiv. Por dua ta nis sezonin dhe të shikoj se si po shkon gjithçka dhe sa të lidhur jemi. Më pas, do të shohim." – tha ai.