Norwich City i Milot Rashicës bie nga Premierliga - NACIONALE

Norwich City i Milot Rashicës bie nga Premierliga

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot zyrtarisht ka marrë fund aventura e Norwich Cityt në Premierligë.

Norwich City që u promovua verën që lamë pas në Premierligë, me humbjen e sotme nga Aston Villa (2:0), edhe matematikisht skuadra angleze është rikthyer në Championship.

Golat nga Watkins (41’) dhe Ings (90+3’), i dhuruan pikët e plota skuadrës së Steven Gerrard, derisa ishte goditja përfundimtare për Norwichin që e dërgon direkt e në ligën e dytë angleze.

Me 23 humbje, gjashtë barazime dhe pesë fitore, Norwichi përfundon zyrtarisht aventurën në kampionatin anglez, duke pasur vetëm 21 pikë në 34 ndeshje të zhvilluara.

Afro 60 milionë funte të shpenzuara, por të pamjaftueshme

Norwich City në verën që lamë pas bëri disa transferime me shpresën që të garonte me klubet e tjera angleze, duke sjellë disa lojtarë me kualitetet, e një prej tyre ishte edhe sulmuesi kosovar, Milot Rashica.

Në afatin kalimtar veror 2021, Norwichi shpenzoi plotë 57.65 milionë funte duke kryer disa transferime të njëpasnjëshme.

Transferimet më të shtrenjta ishin ato të Milot Rashicës dhe Christos Tzolis që kushtuan 9.90 milionë funte (kështu vlerësohen të kenë kushtuar në Transfermarkt), ndjekur nga Josh Sargent (8.55 milionë funte) dhe Ben Gibson (8.37 milionë funte).

Sezoni i parë i Milot Rashicës në Premierligë

Sulmuesi i krahut të djathtë, Milot Rashica në këtë edicion në Premierligë mund të thuhet se në shumicën e ndeshjeve ishte në formë të lartë.

Pavarësisht që i mungonte goli, Rashica i rrezikonte kundërshtarët duke bërë disa driblime e shpesh herë edhe me harkime të gjata, ku si pasojë, disa herë ishte kontribuues në gol.

Në 27 ndeshje të zhvilluara në kampionatin anglez, ylli kosovar gjeti vetëm një gol, atë ndaj gjigantit anglez, Liverpool.

Zhvillohej minuta e 48-të e ndeshjes, kur Rashica pranoi një top të bukur nga Sargent dhe me një gjuajtje mahnitëse nga distanca e dërgoi topin në korner të portës së Alisson (48').

Fillimi i kosovarit në Premierligë nuk ishte i mirë, ku në ndeshjet e para bënte disa gabime, ku humbiste topin shpesh herë, por që ishte e pritur ngase siç dihet niveli i kampionatit anglez me atë që ishte mësuar Rashica në Bundesliga, është shumë herë më ndryshe, pasi në Premierligë më shumë kërkohet fuqia fizike.

Përpos atij golit të shënuar, Rashica ka në emrin e tij edhe dy asistime të tjera.

Ndërsa, sa i përket garave të tjera, Rashica zhvillojë edhe tre paraqitje në FA Cup, duke gjetur edhe aty një gol.

Në përgjithësi, Rashica deri me tani në Premierligë ka luajtur 2 mijë e 35 minuta, FA Cup (187 minuta) dhe EFL Cup (21 minuta) që në total, i bie 2 mijë e 243 minuta të zhvilluara këtë edicion në të gjitha garat.

Përndryshe, Rashica ka treguar vetën jo vetëm një në pozitë, ngase disa herë trajneri Dean Smith i ka dhënë urdhër të ndryshëm, përpos pozitës që di më së miri në krahun e djathtë, ai shpesh herë ka luajtur në krahun e majtë, ose edhe si sulmues i dytë.

Tani, mbetet të shihet në afatin veror, nëse kosovari do të ndryshojë skuadër, apo do qëndrojë te Norwichi, me të cilët ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2025.

Rekordi negativ i Norwich Cityt

Norwich City është bërë skuadra e parë që nga fillimi i kompeticionit në vitin 1992/93 që bie gjashtë herë nga liga, që është më shumë se çdo skuadër tjetër angleze.

Lajme të ngjashme