Nora Gjakova e fiton medaljen e argjendtë në Kazakistan, pas disfatës në finale kundër Cysique
Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në grand slamin e xhudos së Astanës në Kazakistan të premten.
Kampionia olimpike e Kosovës Gjakova, megjithatë, e humbi mundësinë ta fitojë medaljen e artë duke pësuar disfatë bindëse në finale nga Sarah Leonie Cysique e Francës.
Por Gjakova duhet të jetë e kënaqur me medaljen e argjendtë në kategorinë -57 kilogramë.
Ajo e nisi ngadaltë dhe ngathët luftën për medalje të artë, duke e lejuar francezen ta marrë iniciativën dhe u ndëshkua me një shido (karton të verdhë).
Dhe tamam kosovarja filloi të ngjallej pas udhëzimeve të trajnerit për luftë më të gjallë, Cysique e hodhi në tatami me një ippon të jashtëzakonshëm, dhe e fitoi medaljen e artë.

Kjo ishte medalje e tretë e argjendtë për kosovaren në turnetë grand slam.
Nora kishte dy fitore kundër Cysique para kësaj përballjeje, përfshirë një që mbase është më e rëndësishmja në karrierën e saj, në luftë për medaljen e artë olimpikë në Lojërat Olimpike Verore Tokio 2020.
Për të arritur deri në finale në Kazakistan, Nora i fitoi tri luftëra, pasi rrethin e parë e kaloi pa luftë.
Përveç medaljes së argjendtë, ajo i fitoi edhe 700 pikë olimpike për Olimpiadën Parisi 2024.
Nora ishte garuesja e vetme nga Kosova që mori pjesë në ditën hapëse të grand slamit në Astana.
Nesër garojnë Akil Gjakova (-73 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-70 kg).