Nipi i Adem Jasharit, Igballi: Kombëtarja e Kosovës zgjedhja e vetme
Igball Jashari, nipi i Komandantit legjendar, Adem Jashari, synon të luajë në kampionatet më të forta evropiane në nivel klubesh, por në nivel kombëtaresh ai tashmë ka bërë zgjedhjen e tij.
Jashari që luan te skuadra më e trofeshme kosovare, FC Prishtina, ka deklaruar se Kombëtarja e Kosovës është zgjedhja e vetme.
19-vjeçari thotë se dashurinë për Kosovën e ka mësuar nga familja e tij, teksa ka një ndjenjë të veçantë kur luan për Dardanët.
“Për mua është një ndjenjë mjaftë e mirë sepse jam rritur tek një familje që është e madhe dhe më kanë folur mjaftë shumë për vendin, se si duhet ta duam Kosovën dhe normalisht kur të vesh fanellën e Kosovës për mua është një ndenjë më e madhe sepse jam nga familja Jashari dhe është një ndjenjë mjaft e madhe për mua”, thotë Jashari për KosovaPress.
Qëllimi kryesor i tij është të debutojë për Kombëtaren A të Kosovës.
“Normalisht qëllimi i çdo lojtari është Kombëtarja A sepse unë kam shkuar në grupmoshat U15, U17, U19, U21 dhe për mua është sukses që të kaloj te Kombëtarja A”, shton ai.
Ai nuk foli për vendimet e bashkëmoshatarëve të tij, që në raste nuk preferuan Kosovën, por thotë se për të Kombëtarja dardane është zgjedhja e vetme.
“Për ata unë nuk kisha mundur të flas sepse secili e di mendimin e vet se për kë do të luajë por normalisht unë nëse më vie mundësia do të luaja për Kombëtaren e Kosovës”.
Igball Jashari që po luan vazhdimisht te Prishtina, synon të dalë në Evropë në nivel klubesh.
“Normalisht synimet e çdo lojtari janë që njëherë të luajnë këtu në Kosovë pastaj të kalojnë në ekipe evropiane siç kanë kaluar shumë lojtarë që kanë dal nga Superliga e Kosovës dhe shpresoj që një ditë të arrijë edhe unë të dal jashtë Kosovës”, thotë Jashari në fund.
I lindur në vitin 2005, Jashari luan në pozitën e sulmuesit anësor dhe iu bashkua skuadrës së parë të Prishtinës në verën e vitit 2023. Për klubin nga kryeqyteti i Kosovës deri më tani ai ka shënuar tre gola.