Nga kërcimi në dëshpërim – Conte i nervozuar me vendimin e VAR-it
Nga kërcimi për gëzimin e golit në minutat e fundit deri te të bërtiturat në dëshpërim, Antonio Conte, kaloi një ndeshje me ngarkesë tejet të madhe emocionale në ndeshjen e Tottenham Hotspurit në Ligën e Kampionëve ku barazoi me Sporting Lisbonën me rezultat 1:1.
Italiani festoi duke kërcyer në atë që ai mendonte se ishte një gol fitues dramatik në kohën e shtesë nga Harry Kane, gol që do ta kishte dërguar skuadrën e tij në 16-shen e finales në këtë garë.

Por festimet u ndërprenë pasi gjyqtari u konsultua me VAR-in dhe, pas një pritjeje të gjatë, goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Një Conte i tërbuar u përjashtua nga fusha teksa reagoi ashpër për vendimin. Në vend që të fitonin 2-1, Spurs barazuan 1-1, fal atij vendimi që po cilësohet nga e gjitha bota e futbollit si kontrovers.
"Ky vendim krijon një dëm të madh. Shpresoj që klubi ta kuptojë këtë. Klubi duhet të jetë i fortë," tha ai.
Mund të jetë një moment i madh në fushatën e Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, sepse në javën tjetër udhëtojnë për në Marseille dhe duhet ta evitojnë me çdo kusht humbjen për të vazhduar përpara.

Conte pritet të vuajë një ndalim në ndeshjen e së martës në Stade Velodrome. Ai me shumë gjasë nuk do të lejohet të zbresë poshtë te lojtarët e tij para ose gjatë lojës dhe do të duhet të ulet në tribunë.
Doherty: Disa prej nesh nuk e kanë idenë se çfarë ka ndodhur
Momenti i polemikave erdhi në minutën e 95-të teksa Kane shënoi gol pas asistimit të Emerson Royal, nëpërmjet një devijimi nga një mbrojtës.
Megjithatë, VAR përcaktoi që Kane ishte në pozicion jashtë loje kur topi iu dha atij dhe, pavarësisht protestave nga disa lojtarë të Spurs, gjyqtari në fushë Danny Makkelie nuk do të shkundej nga qëndrimi ndaj këtij vendimi.

"Unë mendoj se ju mund të shihni nga festimet që menduam se e fituam atë ndeshje. Nuk e di vërtet se çfarë ndodhi në fund," tha mbrojtësi i Tottenham Matt Doherty për BT Sport.
"Mendova se për shkak se topi u kthye prapa dhe goditi një mbrojtës ishte një fazë tjetër e lojës. Do të më duhet të shikoj librin e rregullave. Disa prej nesh nuk e kanë idenë se çfarë ndodhi."
Siç shpjegohet nga redaktori i ESPN, Dale Johnson, drejtimi i lojës së topit është i parëndësishëm për pozicionin jashtë loje, me Kane përpara topit.
Conte: Unë nuk shoh ndershmëri në këtë situatë
Trajneri italian pas ndeshjes së mërkurës nuk arriti t’i përmbahej ndjenjave për pjesën e anulimit të golit ‘të rregullt’.
“Do të doja të shihja nëse mund ta merrni këtë lloj vendimi me një top skuadër në një lojë të rëndësishme. Do të doja të shihja nëse VAR është kaq i guximshëm për të marrë këtë vendim.
Topi është para Kane. Më vjen keq, por jam shumë i mërzitur sepse mund ta vlerësoni situatën. Unë nuk shoh ndershmëri në këtë lloj situate. Kur nuk e shoh këtë, mërzitem shumë", përfundoi ish-trajneri i Interit.
