Neymar: Kalova ferrin me Messin te PSG, dyshja e Real Madridit e ardhmja e Brazilit
Sulmuesi i Al Hilalit, Neymar tha se e ka kaluar ferrin së bashku me Lionel Messin sa ishte pjesë e Paris Saint-Germain.
Braziliani në një intervistë për gazetën braziliane “Globo Esporte” ka deklaruar se Messi ishte në parajsë vetëm kur luante për Argjentinën, përndryshe po kalonte ferrin në “Parkun e Princave”.
“Isha shumë i lumtur për vitin që kishte, njëkohësisht shumë i mërzitur sepse jetoi dy anët e medaljes. Ai mbërriti në parajsë me Argjentinën, fitoi gjithçka në vitet e fundit dhe në PSG kaloi ferrin. Ne jetuam ferrin së bashku”.
“Messi u largua nga PSG në një mënyrë që nuk e meritoi. Për gjithçka që është, çfarë ka bërë, të gjithë ata që e njohin është lojtar që stërvitet, lufton, zemërohet nëse humb dhe ishte padrejtësisht i akuzuar. Më bëri të lumtur kur e fitoi Kupën e Botës. Siç e thatë, futbolli ishte i drejtë këtë herë Messi e meritoi ta mbyllë karrierën në këtë mënyrë”.
Ndërkohë, Neymar dha lëvdata edhe për dy yjet e Real Madridit Vinicius Junior dhe Rodrygo.
“Vinicius dhe Rodrygo janë dy lojtarë me shumë kualitet, dy yje që do ta kenë rolin kyç padyshim”.
“Ata tashmë janë aty falë emrit të tyre, pa marrë parasysh nëse jam ose jo. Asnjëherë s’kam qenë egoist, në fakt e kundërta sa më shumë protagonistë në skuadër, aq më e mirë bëhet skuadra. Jam i lumtur që kanë mbërritur në këtë nivel, tashmë ndodhen këtu dhe po ndihmojnë Brazilin që është shumë e rëndësishme”.
“Më pëlqejnë të dy. Vini dhe Rodrygo janë miq, flasë me të dy. Shpresoj që mund t’iu ndihmoj”.