Neymar i pastër – Gjykata spanjolle hodhi poshtë akuzat për mashtrim
Ylli i Paris Saint-Germain dhe Brazilit, Neymar, tani është i pastër para drejtësisë spanjolle, pasi këta të fundit e kanë liruar nga akuzat për mashtrim dhe korrupsion në lidhje me transferimin e tij nga Santos te Barcelona në vitin 2013.
Sipas Globo, Prokuroria spanjolle ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe mashtrim ndaj brazilianit. Neymar mund të përballej me një dënim prej dy vitesh burg plus një gjobë prej 10 milionë eurosh për parregullsi të dyshuara në lidhje me transferimin e tij te Barcelona në vitin 2013.

Barcelona i pagoi Santos vetëm 17 milionë euro (14.5 milionë £) për Neymar në korrik të vitit 2013. Por grupi investues brazilian DIS – i cili zotëronte 40 për qind të drejtave të Neymar gjatë kohës së tij në Santos, pretendoi se ishin shumë më tepër para të përfshirë në transferim.

Si sulmuesi i PSG-së edhe prindërit e tij dhe ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rossell dhe Josep Bartomeu ishin të gjithë të pandehur në gjyq, dhe të gjithë panë që akuzat të ranë poshtë.
Të premten, Prokuroria Publike ka njoftuar “heqjen e akuzave ndaj të gjithë të pandehurve”.

Pas këtij rasti, anësori tani mund të fokusohet plotësisht në çështjet në fushë pasi synon të fitojë Kupën e Botës me Brazilin, i cili përballet me Serbinë në ndeshjen e parë në grup më 24 nëntor.
Teksa në grupin G është edhe Kameruni dhe Zvicra.
30-vjeçari po kalon në një formë të jashtëzakonshme në këtë fillim sezon edhe me klubin e tij ku në Ligue 1 në 11 paraqitje ka shënuar nëntë gola dhe ka asistuar në shtatë raste, ndërsa në Ligën e Kampionëve në pesë paraqitje ka shënuar dy herë dhe ka asistuar po dy herë.

Deri në fillimin e Kupës së Botës që mbahet në Katar në këtë fund vit, Paris Saint-Germain dhe Neymar kanë edhe katër ndeshje përpara, një në Ligë të Kampionëve që tashmë kanë përfunduar punë dhe tri ndeshje në ligën franceze.
