Newcastle United fiton me rezultat të thellë ndaj Tottenham Hotspur, e çon diferencën në gjashtë pikë
Newcastle United ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në luftën për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm, duke mposhtur rivalin direkt Tottenham Hotspur me rezultat të thellë 6:1.
Skuadra e Eddie Howe u tregua e pamëshirshme për londinezët, duke ia shënuar pesë gola në vetëm 21 minuta lojë.
Gjithçka filloi në minutën e dytë të takimit, kur Jacop Murphy shënoi për 1:0 pasi fillimisht tentimi i Joelinton u ndal nga Hugo Lloris.
Vetëm katër minuta më vonë, Joelinton shënoi gol të bukur për 2:0, pas një asistimi të mrekullueshëm nga Fabian Schar.
Murphy shënoi edhe të dytin personal, tani për rezultatin 3:0 në minutën e nëntë, me një goditje të fortë nga një distancë e largët.
Makthi për Spurs nuk u ndal këtu, pasi sulmuesi suedez, Alexander Isak, shënoi dy gola të shpejtë, fillimisht në minutën e 19-të për 4:0 e pastaj në të 21-tën për 5:0, që ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë.
Krejt çfarë Tottenhami arriti të bënte në këtë ndeshje, ishte goli i Harry Kane katër minuta pasi filloi pjesa e dytë, duke çuar rezultatin në 5:1.
Ndërsa për epilogun final u kujdes Callum Wilson, që shënoi për 6:1 në minutën e 67-të të takimit.
Newcastle tani mban pozitën e tretë në tabelë me pikë të barabarta me Manchester United që është në vendin e katërt, por djajtë e kuq kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Tottenhami tani rrezikon edhe pozitën e pestë.
