Newcastle United e shkatërron Chelsean në Saint James' Park - NACIONALE

Newcastle United e shkatërron Chelsean në Saint James' Park

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas një barazimi 4:4 me Manchester Cityn dy javë më parë, Chelsea sot është shkatërruar nga Newcastle, ku sërish ka pësuar katër gola por tani duke humbur 4:1.

Kjo për Chelsean është humbja e pestë sezonale, kurse ka edhe katër barazime e po aq fitore.

Të kaltrit e Londrës ishin me dy fytyra në këtë ndeshje. Në pjesën e parë arritën të krijonin mjaft shumë raste, ndërsa në të dytën nuk u shfaqën asnjëherë tek zona e vendasve.

Laraskat e gjetën golin e parë shpejtë, kur Alexander Isak shënoi në minutën e 13-të për 1:0.

Nga ky moment deri në fund të pjesës së parë, Chelsea e mori lojën në kontrollë dhe nuk vonoi goli i barazimit.

Ishte Raheem Sterling që me një gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë e barazoi rezultatin në 1:1, me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në 45 minutat e dyta, Newcastle ishte krejtësisht e papërmbajtshme.

Qendërmbrojtësi Lascelles shënoi me kokë për të kthyer epërsinë në 2:1, në minutën e 60-të, ndërsa Joelinton menjëherë pas një minute shënoi për 3:1, pas një gabimi të tmerrshëm nga Thiago Silva.

Për rezultatin final u kujdes 22-vjeçari Anthony Gordon, që realizoi gol të bukur për 4:1 në minutën e 83-të.

Me këtë fitore, Newcastle pozicionohet në vendin e gjashtë, tre pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve, ndërsa Chelsea mbetet në vendin e 10-të.

Lajme të ngjashme