New York Times e zbulon pagën marramendëse të Kylian Mbappes në PSG - NACIONALE

New York Times e zbulon pagën marramendëse të Kylian Mbappes në PSG

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta prestigjioze amerikane, The New York Times, i ka zbuluar hollësitë e marrëveshjes së majme të Kylian Mbappes me Paris Saint-Germainin.

Mbappe, 23 vjeç, nënshkroi marrëveshje të re luksoze deri në vitin 2025 me kampionin francez në verë, duke i dhënë fund sagës së kalimit të mundshëm në Real Madrid.

Sipas të përditshmes amerikane, Mbappe do të paguhet hiç më pak se 251.4 milionë euro për tri sezone në Paris.

Kjo nënkupton se Mbappe ka pagë vjetore prej 83 milionë eurove.

Disa prej shkrimeve në media pas vendimit për të qëndruar në PSG ishin se paratë nga Katari e shtynë Mbappen për të mos u larguar. New York Times shkroi se ai i fitoi 125 milionë dollarë shtesë vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes së re, që është pagesa më e madhe që i bëhet një lojtari pa kontratë në historinë e sportit.

Megjithatë, Mbappe ka këmbëngulur në intervistë për New York Times se paratë e majme nuk ishin ato që bindën atë të qëndrojë në Francë, pavarësisht ofertës joshëse nga Real Madridi.

“Sepse kudo që të shkoj unë, fitoj para. Unë jam lojtar i tillë, kudo që shkoj fitoj”, tha Mbappe.

Mbappe e refuzoi Real Madridin

Mbappe ishte afër kalimit në Madrid, pasi kishte arritur marrëveshje financiare me kampionin spanjoll disa muaj para se përfundimisht të vendoste për të qëndruar në PSG.

Ai e ka pranuar se e kishte marrë një telefonatë nga presidenti i vendit Macron, i cili e kishte bindur të qëndronte në Paris.

“Kurrë nuk e kam parafytyruar se do të bisedoja me presidentin (e Francës) për të ardhmen time, për të ardhmen time në futboll. Pra është çmendur, diçka vërtet e çmendur”, tha Mbappe për telefonatën me Macronin.

Mbappe tregoi se çfarë i kishte thënë Macroni gjatë asaj bisede telefonike, që ia ndërroi mendjen.

“Ai më tha, ‘dua që të qëndrosh, nuk dua që ti të largohesh sepse je shumë i rëndësishëm për vendin’. Pastaj më tha, ‘ke kohë për t’u larguar, mund të rrish edhe pakëz’”.

Lajme të ngjashme