Ndryshime te Shqipëria: Sylvinho e fton Arbnor Mujën, Adrian Bajramin dhe Jon Mersinajn
Përzgjedhësi i Shqipërisë Sylvinho e ka ftuar Arbnor Mujën, Adrian Bajramin dhe Jon Mersinajn për t’i zëvendësuar tre të lënduarit si Gjimshiti, Bare dhe Manaj.
FSHF-ja njoftoi të hënën për ndryshimet në listën e Shqipërisë ngase lojtarët e lartpërmendur nuk do të jenë gati për dy ndeshjet e muajit nëntor, ndaj Çekisë, respektivisht Ukrainës.
“Gjimshiti, Bare, Manaj & Kumbulla humbasin Çekinë & Ukrainën prej dëmtimeve. Ftohen Adrian Bajrami, Jon Mersinaj & Arbnor Muja”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e FSHF-së.
Në testet e bëra nga stafi mjekësorë ka rezultuar se si Gjimshti ashtu edhe Bare e Kumbulla nuk mund të rikuperohen me kohë.
“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Berat Gjimshiti, Keidi Bare dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë pjesë e grupit për dy ndeshjet e nëntorit.
Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Udinese-s, ndërsa Bare dhe Kumbulla ishin të dëmtuar dhe pas komunikimit të stafit mjekësor të Kombëtares me klubet përkatëse është vendosur që futbollistët të vazhdojnë rikuperimin.
Sakaq, Rey Manaj ka mbërritur sot në grumbullim dhe i është nënshtruar menjëherë testeve mjekësore”, njofton FSHF-ja.
Përndryshe, lojtarët e ftuar do t’i bashkohen “Kuq e Zinjve” të martën.