“Ndoshta e pret Gjermaninë ose dikë tjetër”, Alban Bushi tregon pse s’e ftoi Arijon Ibrahimovicin
Përzgjedhësi i Shqipërisë U21, Alban Bushi thotë se e ka kontaktuar mesfushorin me prejardhje nga Kosova Arijon Ibrahimovic, mirëpo s’është ftuar për arsye të njëanshme të lojtarit.
Bushi bëri publike listën e Shqipërisë U21, ku e ‘rrëmbyen’ një tjetër lojtar nga Kosova, këtë herë Ermir Rashicën.
Sidoqoftë, FSHF-ja tentoi të bënte edhe një tjetër goditje – me Ibrahimovicin që po shkëlqen në Serie A, mirëpo lojtari duket se ende nuk ka kthyer përgjigje.
“Çdo lojtarë shqiptarë, kudo që është, në çdo kampionat të Evropës, ne e kontaktojmë. Nuk diskutohet fare që ka pasur kontakt nga Shqipëria, por për arsye të njëanshme të lojtarit, mund të presë Gjermaninë ose diçka tjetër, për këtë arsye nuk është thirrur. Por çdo lojtar shqiptar, që është në kampionatet e Evropës, sidomos që ka nivel për ekipin Kombëtar është kontaktuar 100 për qind nga ne”.
Ndër të tjera, Bushi e ka falënderuar edhe Rashicën që zgjodhi Shqipërinë duke e ‘harruar’ Kosovën.
“Mendoj se janë dy lojtarë me perspektivë. Rashica është datëlindja 2004, gjithashtu edhe Beqjaj. Mendoj se janë lojtarë shumë të mirë. Rashica është hera e parë që vjen me ne, ka qenë lojtar i të rinjve të Kosovës. Unë e falënderoj që ka zgjedhur Shqipërinë”.
“Mendoj që shpejt do i dali pasaporta dhe ta kemi gati për ndeshjen e radhës. Shqipëria nuk është se ka shumë lojtarë të rinj në kampionatin vendas, nuk i japin shumë dorë të rinjve. Ky është një problem i madh për ekipin Kombëtar U-21, se nuk ka ku kërkon lojtarë dhe jemi munduar të kërkojmë gjithmonë jashtë edhe pak lojtarë që dalin në kampionatin shqiptar, nuk punohet shumë me ata nga ana individuale për t’i rritur si fizikisht, si taktikisht”, deklaroi ai.
Shqipëria U21 momentalisht është lider në grupin E me nëntë pikë pas katër xhirove të zhvilluara, derisa ka gjasa reale që të avancojë tutje.