Ndeshja Fiorentina-Empoli rrezikon të ndez debat për kombin në Kosovë - NACIONALE

Ndeshja Fiorentina-Empoli rrezikon të ndez debat për kombin në Kosovë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Jemi mësuar të dëgjojmë për kamerunas të natyralizuar në francezë, brazilianë të natyralizuar në spanjollë, ganezë të natyralizuar në gjermanë, nigerianë të natyralizuar në italianë e kosovarë të natyralizuar në zviceranë. Por, deri tash nuk kemi dëgjuar komentatorë derisa përmendin që “një kosovar është natyralizuar në shqiptar”.

Ja që, edhe kjo ka ndodhur në ndeshjen e Serie A mes Fiorentinas dhe Empolit.

Pas lëndimit të futbollistit Lorenzo Tonelli, në lojë u fut futbollisti Ardian Ismajli dhe u prezantua nga komentatori në këtë formë.

"Hyn në lojë lojtari me kombësi kosovare, Ismajli, i cili është natyralizuar si shqiptar së fundmi" - u shpreh komentatori i Sky Sports.

Por, a është e vërtetë një gjë e tillë?

Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, një gjë e tillë është e vërtetë. Ardian Ilmi Ismajli është lindur më 30 shtator të vitit 1996 në Majanc të Podujevës dhe me Shqipërinë nuk e lidh asgjë përveç historisë së kombit të tij.

Madje, Ardian Ilmi Ismajli e ka një të kaluar të fortë me Kosovën. Ai ka kryer shkollën e futbollit te 2 Korriku i Prishtinës, dhe jo në ndonjë akademi të futbollit në Shqipëri.

Për më tepër, përgjatë karrierës së tij – tashmë shtatë vjeçare- Ismajli asnjëherë nuk ka luajtur për një ekip nga Shqipëria, siç kanë bërë lojtarë të tjerë kosovarë.

Nga Prishtina ai kishte shkuar në Kroaci që të luante për Hajdukun e Splitit, e ku i kaloi katër vite shumë të mira si futbollist.

Prej vitit 2020, Ismajli është bërë pjesë e kategorisë elitare të futbollit italian, duke luajtur fillimisht për Spezian e së fundi për Empolin.

Ardian Ismajli kishte luajtur për kombëtaren e Kosovës, kategoritë e reja, gjatë viteve 2017 dhe 2018.

Madje, ai ishte bërë kapiten i kombëtares së Kosovës për U-21.

Përveç kësaj, Ismajli kishte luajtur një ndeshje edhe me kombëtaren A të Kosovës në vitin 2018 por... në mënyrë të papritur kishte ndërruar anë.

Ai ishte pajisur me pasaportë të Republikës së Shqipërisë (duke u natyralizuar kësisoj) dhe kishte ndërruar ngjyrat e kombëtares.

Nga kapiten te Kosova u-21 ai ishte futur në kombëtaren A të Shqipërisë.

Për Shqipërinë, Ismajli deri tash ka luajtur 23 herë dhe e ka shënuar një gol.

Ky ishte pra i gjithë procesi që ‘natyralizoi’ Ismajlin nga kosovar në shqiptar. Sidoqoftë, një qëndrim i tillë do të protestohej nga tifogrupet tona që e shohin kombin të lidhur kryekëput me etninë dhe jo pasaportën e shtetësinë dhe një gjë e tillë rrezikon të çelë një debat të madh mbi kombin kosovar, përsëri.

Kujtojmë që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ishte kritikuar ashpër që kishte lejuar largimin e tij nga Kosova.

Lajme të ngjashme