NBA play-offs: Miami Heat e merr edhe finalen e dytë në udhëtim te Boston Celtics, shkëlqen Adebayo
Miami Heat ka shënuar edhe fitoren e dytë në serinë finale të Konferencës së Lindjes, duke marrë fitore në fund ndaj Boston Celtics në udhëtim me rezultat 111:105, kështu për ta çuar rezultatin e përgjithshëm në 2:0, me dy ndeshjet e ardhshme që ata i zhvillojnë në arenën e vetë.
Heat kishte shënuar fitore të ngjashme edhe në ndeshjen e parë finale, duke ia marrë fitoren nga duart në çerekun e fundit të takimit, ashtu si edhe sot.

Celtics e nisi për një nuancë më mirë takimin, duke fituar në periodën e parë me rezultat 25:24, por Miami në krye me Bam Adebayo dhe Jimmy Buttler e përfunduan pjesën e parë me epërsi prej katër pikësh, duke fituar në çerekun e dytë 30:25, apo rezultati i përgjithshëm 54:50.
Në pjesën e dytë u duk se vendasit e morën ndeshjen nën kontroll, ku u treguan shumë efikas në çerekun e tretë për ta fituar me 12 pikë epërsi apo 33:21, për të shkuar +8 pikë avantazh.
Por në çerekun e fundit, Miami Heat u tregua skuadër klinike, duke shkatërruar gjithçka para vetës, ku e fitoi periodën e katërt me rezultat 36:22, në fund për të triumfuar me gjashtë pikë diferencë, 111:105.
Më i dalluari për mysafirët në këtë fitore padyshim që ishte Bam Adebayo, i cili ishte afër shifrës magjike të dyshifrorit të trefishtë me 22 pikë, 17 rebounds dhe nëntë asistime, teksa u ndihmua nga Jimmy Butler që kontribuoi me 27 pikë, tetë rebounds, gjashtë asistime, tre topa të vjedhur dhe dy bllokada.

Në anën tjetër 33 pikë, 13 rebounds dhe tetë asistime të Jayson Tatum, nuk kryen punë, për t’u evituar humbja e dytë rresht.
Miami Heat tani ka mundësinë e artë ta përfundojë këtë seri me rezultat të përgjithshëm 4:0, pasi që dy ndeshjet e ardhshme i zhvillon në shtëpinë e saj.
Përballja e ardhshme e këtyre dy skuadrave zhvillohet në mëngjesin e hershëm të së hënës, me orë lokale të Kosovës (02:30).
