NBA play-off: Boston Celitcs afër ta rishkruajë historinë, fiton ndaj Miamit dhe e çon serinë finale në ndeshjen e shtatë
Boston Celtics është afër të bëhet skuadra e parë në histori të NBA-së që kthehet nga disfata 3:0 në fitore, pasi tani ata kanë barazuar serinë finale në 3:3 ndaj Miami Heat në Konferencën Lindore, me fitoren shumë të ngushtë 104:103.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë në ligën më të fortë të basketbollit në botë, e Celtics e ka mundësinë e artë për ta fituar ndeshjen e shtatë, pasi tani ata do të luajnë para publikut të tyre.
Sa i përket ndeshjes në FTX Arena në mëngjesin e hershëm të së dielës, Bostoni e filloi shumë mirë duke e fituar çerekun e parë me një epërsi prej +5 pikësh, apo 34:29.
Në 12 minutat në vazhdim ishte Miami që për një nuancë u tregua më e mirë, për të fituar 24:23, kështu për të shkuar në pushim me vetëm katër pikë epërsi për Boston Celtics, apo 57:53.
Pjesa e dytë ishte dramë e vërtet. Celtics të udhëhequr nga Jayson Tatum fituan çerekun e tretë 22:19, duke rritur epërsinë në shtatë pikë, ndërsa në periodën e fundit ishte Miami që u treguan shumë më efikas.

Deri në milisekondat e fundit Miami Heat po fitonte, pasi u kthyen në periodën e fundit, por Derrick White krejtësisht në fund, kur semafori shënoi kohën 00:00:00, shënoi një dy pikësh për t’ia dhënë skuadrës së tij fitoren 104:103, për ta çuar serinë finale në shtatë ndeshje.
Më i disponuari në këtë ndeshje ishte Tatum që kontribuoi me 31 pikë, 12 rebounds e pesë asiste në fitoren e skuadrës së tij, ndërsa në anën tjetër 24 pikë, 11 rebounds e tetë asistime të Jimmy Butler nuk ishin të mjaftueshme për ta përfunduar serinë finale në Lindje.
Boston Celtics e ka mundësinë për ta rishkruar historinë dhe të bëhet skuadra e parë që nga humbja 3:0 në një seri të play-offit, të kthehet në fitore 4:3, pasi ndeshja e fundit dhe vendimtare zhvillohet TD Garden të Bostonit, në mëngjesin e hershëm të së martës me fillim prej 02:30, me orë lokale të Kosovës.
