NBA: Pas tri fitoreve radhazi të Bostonit, Dallasi arrin te fitorja e parë në serinë finale - NACIONALE

NBA: Pas tri fitoreve radhazi të Bostonit, Dallasi arrin te fitorja e parë në serinë finale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dallas Mavericks ka arritur te fitorja e parë në serinë finale të NBA-së, duke e mposhtur Boston Celtics bindshëm 122:84.

Celtics e filluan shumë mirë këtë seri, duke fituar dy ndeshjet e para në shtëpinë e saj, teksa fituan edhe një tjetër në Dallas, për ta çuar serinë në 3:0.

Ndeshja e sotme ishte jetike për Dallasin për të mbetur akoma në garë, me shpresën për një përmbysje të madhe, ndonëse kjo është shumë e vështirë, duke parë formën e lartë nga 'Trefletëshat' në sezon të rregullt edhe deri më tani në play-off.

Dallas Mavericks e nisi furishëm çerekun e parë, duke fituar me 13 pikë epërsi, apo 34:21.

Vendasit vazhduan me paraqitje të mirë edhe në 12 minutat në vazhdim, duke fituar 27:14, për të shkuar në pushim me 26 pikë epërsi.

Luka Doncic shënoi plotë 25 pikë në pjesën e parë të takimit.

Mavericks vazhduan të fitojnë edhe dy çerekët e tjerë, fillimisht 31:25, e pastaj 30:24, për ta mbyllur në fund me një fitore të thellë 122:84 apo 38 pikë epërsi..

Doncic e Irving ishin më të disponuarit për lojë, duke shënuar 29 dhe 21 pikë respektivisht, kurse pikë dyshifrore shënuan edhe Exum e Hardaway.

Te Bostoni, Tatum pati 15 pikë, që ishte koshashënuesi më i mirë te kjo skuadër, treguesi më i mirë që forma e tyre ishte shumë e dobët në finalen e katërt.

Ndeshja e pestë finale zhvillohet të martën në mëngjes, ku Dallasi do ta ketë mundësinë të afrohet në një ndeshje, ose Boston Celtics do të shpallet kampion i NBA-së për këtë sezon.

Lajme të ngjashme