NBA: Durant me dyshifror të trefishtë në fitoren e Nets, Lebron largohet i lënduar në humbjen ndaj Clippers
Ndeshje mjaft interesante janë zhvilluar në mbrëmjen që lamë pas në NBA, ku një dyshifror i trefishtë i Kevin Durant ia fitoi lojën skuadrës së tij Brooklyn Nets përballë New York Knicks me rezultat 112:85, ndërsa në anën tjetër LeBron James u largua i lënduar në fundin e ndeshjes në humbjes e LA Lakers kundër LA Clippers 114:101.
Milwaukee Buck gjithashtu vazhdoi formën e mirë në kampionat, duke fituar kundër Oklahoma City Thunder edhe pse i mungoi ylli grek Giannis Antetokounmpo.
Brooklyn Nets – New York Knicks
Pas humbjes me rezultat të ngushtë ndaj Dallas Mavericks, Nets u kthyen te fitorja fal një paraqitje shumë të mirë të yllit të saj Kevin Durant.
Nets ishin më të mirë gjatë tërë takimit, duke mos e vënë në dyshim për asnjë çast fitoren.
Edhe këtë ndeshje mungoi ylli tjetër Kyrie Irving, pas pezullimit që ia bëri skuadra e Brooklynit.
Siç u tha më sipër, Durant shkëlqeu me dyshifror të trefishtë, duke shënuar 29 pikë e ndihmuar me 12 rebounds e 12 asistime, me një saktësi në gjuajtje prej 52,6%. Ndihmë i dha edhe Seth Curry që shënoi 23 pikë, 18 nga të cilat erdhën nga gjuajtjet për tre pikë. Në anën tjetër te Knicks më i dalluari ishte Julius Randle me 24 pikë e 11 rebounds, por të pamjaftueshme për një fitore.
Nets tani kanë rekord prej pesë fitoreve dhe shtatë humbjeve në 12 ndeshjet e para të këtij sezoni.
LA Clippers – LA Lakers
Lebron James për aq sa luajti shkëlqeu, por një lëndim i pësuar në çerekun e katërt ia pamundësoi vazhdimin e ndeshjes, duke mos u kthyer më në parket.
Lakers humbën nga rivalët lokal Clippers me rezultat 114:101, duke vazhduar rekordin negativ, tani me dy fitore e nëntë humbje.
Paul George ishte më i miri te vendasit, duke shënuar 29 pikë dhe ndihmuar me gjashtë rebounds e katër asistime, me një saktësi të jashtëzakonshme për dy pikë prej 80%. Në ndihmë i dolën edhe Powell me 18 pikë e Reggie Jackson me 14 sosh.
Në anën tjetër, LeBron në 32 minuta që zhvilloi shënoi 30 pikë me saktësi prej 54,5%, teksa pati edhe tetë rebounds e pesë asistime. Davis, Brown Jr. dhe Westbrook shënuan pikë dyshifrore, por që nuk arritën më shumë se një humbje të radhës.
Gjendja e LeBronit do të mbetet për t’u ekzaminuar nga testet pas një dëmtimi në ije që pësoi.
Oklahoma City Thunder – Milwaukee Bucks
Bucks po vazhdojnë të paraqiten shumë mirë në këtë sezon, ku në 11 ndeshje, vetëm një e kanë humbur.
Pas humbjes që pësuan ndaj Hawks dy ditë më parë, u kthyen sërish te fitorja, edhe pse në këto dy ndeshje luajtën me mungesën e yllit, Antetokounmpo.
Në këtë ndeshje u nevojitën dy vazhdime për të përcaktuar fituesin, ku në fund Milwaukee fitoi me rezultat 136:132.
Më i miri në ndeshje ishte Jevon Carter me 36 pikë, 12 asistime e katër rebounds, i ndihmuar nga Brook Lopez me 24 pikë. Në anën tjetër shkëlqeu i përhershmi Shai Gilgeous-Alexander, i cili shënoi 39 pikë.
Milwaukee vazhdon kryesimin e tabelës lindore, ndërsa OKC qëndron në pjesën e fundit të asaj perëndimore.