Napoli vazhdon me rekordin e të pamposhturit, fiton bindshëm ndaj Cremoneses
Skuadra italiane, Napoli ka vazhduar me rekordin e shkëlqyeshëm duke mposhtur në udhëtim Cremonesen, në kuadër të xhiros së nëntë në Serie A.
"Napolitanët" fituan me rezultat komod 1:4 që të vazhdojnë të jenë lider në tabelë në kampionatin italian.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani fillimisht rrezikoi portën me një goditje fantastike nga distanca, por që traversa i shpëtoi vendasit.
Tutje, Matteo Bianchetti bëri një ndërhyrje të rrezikshme brenda zonës, me arbitrin që akordoi penallti në të mirë të Napolit. Nga pika e bardhë, Matteo Politano ishte thjesht i pagabueshëm me një goditje fantastike që t'i kalojë mysafirët në avantazh - VIDEO.
Pavarësisht rasteve të tjera asnjëra skuadër nuk arriti t'i konkretizojë rastet, prandaj epilogu i këtyre 45 minutave mbeti 0:1.
Në pjesën e dytë, vendasit befasuan Napolin ku pas një aksioni të shpejtë, ishte Cyriel Dessers që shënoi nga afërsia për të barazuar rezultatin (47') - VIDEO.
Napoli pastaj kërkoi deri vonë golin dhe ishte i inkuadruari Giovanni Simeone që realizoi për të rikthye epërsinë e mysafirëve pas një asistimi të bukur të Mario Rui (76') - VIDEO.
Krejt në fund, “Napolitanët” shënuan edhe dy herë të tjera që të vulosin fitoren prej 1:4.
Së pari sulmuesi Hirving Lozano gjeti golin pas një asistimi të Khvicha Kvaratskhelia (90+3’) - VIDEO.
E pastaj, Mathias Olivera shënoi një gol fantastik për epilogun përfundimtar (90+6’).
Pas kësaj fitore të madhe, Napoli mbetet lider i vetëm në tabelën e Serie A, me 23 pikë të mbledhura, derisa Cremonese vazhdon me rezultatet negative duke qenë në pozitën e parafundit me vetëm tre pikë sosh.
Në xhiron e radhës, Napolin e pret një sfidë jo e vështirë në letër si nikoqir i Bolognas, derisa Cremonese është mysafir i Spezias.