Napoli vazhdon me fitore, triumfon ndaj Monzas - NACIONALE

Napoli vazhdon me fitore, triumfon ndaj Monzas

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli ka marrë edhe fitoren e dytë radhazi në Serie A, duke mposhtur në shtëpi Monzan.

"Napolitanët" fituan me rezultat bindës 3:0, ndeshje ku ylli i Kosovës, Amir Rrahmani bëri paraqitje mjaftë solide.

Vendasit e nisën shumë mirë duke rrezikuar qysh në minutat e parë përmes Kim Min-Jea dhe Victor Osimmhen, por të dy goditjet përfunduan jashtë portës.

Khvicha Kvaratskhelia hapi serinë e golave duke realizuar nga një distancë e largët në korner të portës për t'i vendosur "Napolitanët" në avantazh (35') - VIDEO.

Ndërsa, shtatë minuta më vonë apo në fundin e pjesës së parë, qendërsulmuesi Victor Osimhen pas një asistimi fantastik të mesfushori Andre Zambo Anguissa realizoi për të dyfishuar epërsinë (45+2').

Dominimi i klubit italian vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku edhe vulosen fitoren pavarësisht që shënuan vetëm një herë.

Ishte prapë Khvicha Kvaratskhelia që realizoi një gol tejet të bukur pasi dribloi dy futbollistë dhe më pas e konkretizoi duke e dërguar topin në rrjetë (62’).

Gjashtë minuta më vonë, Monza arriti të shënojë përmes ish lojtarit të Napolit, Andrea Petagna, mirëpo pas rishikimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani bëri një tjetër paraqitje solide duke larguar disa mos lejuar që të pësojnë ndonjë gol.

Fitoren e skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalletti, e vulosi mbrojtësi Min-Jae Kim në kohën shtesë duke shënuar pas një asistimi të Piotr Zielinski (90+4’).

Kështu, Napoli merr fitoren e dytë radhazi dhe përkohësisht merr liderin e tabelës me gjashtë pikë të mbledhura, derisa Monza ende nuk ka nisur përshtatjen në Seria A, ku renditen në pozitën e fundit pa pikë.

Napoli në xhiron e radhës do ta ketë një sfidë jo të lehtë në udhëtim te Fiorentina, skuadër që shpesh herë ju ka nxjerrë telashe, derisa Monza do ta mirëpres Udinesen.

Lajme të ngjashme