Napoli shënon fitore komode ndaj Eintracht Frankfurtit
Skuadra italiane Napoli ka shënuar fitore komode në udhëtim te Eintracht Frankfurt, në kuadër të raundit të 16-të në Ligën e Kampionëve.
"Napolitanët" zhvilluan lojë të shkëlqyeshme duke fituar me rezultat 0:2.
Mysafirët e nisën më mirë duke pasur disa mundësi shënimi qysh nga fillimi. Rastin më të mirë e kishte Khvicha Kvaratskhelia, por ylli gjeorgjian dështoi nga pika e bardhë.
Ishte qendërsulmuesi në top formë Victor Osimhen që pas një asistimi fantastik të Hirving Lozanos shënoi nga afërsia për të kaluar Napolin në epërsi (40').
Qysh në aksionin tjetër, Osimhen shënoi edhe golin e dytë por u anulua për pozitë jashtë loje.
Eintracht Frankfurt kishte vështirësi më shumë në pjesën e dytë pasi Randal Kolo Muani u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë.
Fitoren e Napolit e vulosi Giovanni Di Lorenzo me një goditje të saktë pas një asistimi të Kvaratskhelias (65').
Ylli i Kosovës, Amir Rrahmani zhvilloi një tjetër paraqitje solide për Napolin duke qenë nga minuta e parë.
Napoli kështu e nis më këmbë të mbarë dhe kualifikimin synon ta realizojë në ndeshjen kthyese që zhvillohet pas tre javëve.