Napoli mposht Romën, rrit distancën me konkurrentët për titull - NACIONALE

Napoli mposht Romën, rrit distancën me konkurrentët për titull

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli mposhti 2:1 Romën, duke përforcuar kështu çdoherë e më shumë vendin e parë në renditjen tabelore. Distanca tani me ndjekësit shkon në 13 pikë.

Në “Diego Armando Maradonan” e stërmbushur, skuadra nikoqire u vërsul në sulm që në fillim të ndeshjes, e shtyrë tej mase edhe nga publiku vendës.

Goli i zhbllokimit të rezultatit nuk vonoi. Ai erdhi në minutën e 17-të. Pas një harkimi të Kvaratskhelias, Osimhen pranoi për mrekulli topin me gjoks, e më pas mjaft bukur goditi për ta dërguar topin në rrjetë.

Në minutat në vijim të pjesës së parë, Napoli vijoi më mbizotërues në lojë, edhe pse pa prodhuar raste të volitshme për gol (VIDEO).

Roma përmirësoi ndjeshëm lojën e saj në pjesëlojën e dytë. Mysafirët filluan ta qarkullojnë topin në gjysmëfushën e nikoqirëve.

Qasja sulmuese i dha frytet e veta pas disa minutash. Konkretisht në minutën e 75-të El Shaaraway fitoi duelin me Lozanon dhe në afërsi, nga shtylla e parë, shënoi golin e barazimit për 1:1 (VIDEO).

Napoli u mundua të rikthehet me të gjitha forcat në sulm. Skuadra e Spallettit nuk po mund të pajtohej me një pikë.

Pas disa aksioneve të mira që ndërtuan, ajo gjeti edhe golin e dytë të ndeshjes dhe atë të fitores. Zielinski e gjeti mirë Simeonen. Sulmuesi argjentinas nga një pozitë ballore, pas një kthese të mirë që bëri, koordinoi një goditje të saktë, që përfundoi brenda katërkëndëshit të portës (VIDEO).

Pas kësaj fitore, Napoli ngjitet në kuotën e 53 pikëve. Distanca me pozitën e dytë që mbahet nga Interi është prej 13 pikëve. Dallim pikësh i qëndrueshëm.

Ndërkaq në rastin e Romas ajo zë vendin e 6-të në tabelë falë 37 pikëve të arkëtuara. Kjo është humbja e parë që vjen pas një serie prej dy fitoreve që kishte regjistruar skuadra “verdhekuqe”.

Përmbledhja e ndeshjes Napoli - Roma:

Lajme të ngjashme