Napoli bën ofertën e parë për Romelu Lukakun
Napoli ka bërë një ofertë verbale për sulmuesin e Chelseas Romelu Lukaku.
Belgu është kërkesë e trajnerit Antonio Conte, ndërsa skuadra italiane ka nisur punën për ta bindur Chelsean për ta liruar.
Sipas “Sky Italia”, Napoli ka bërë ofertë zyrtare prej 25 milionë euro plus 5 milionë euro bonuse.
Chelsea ende s’ka kthyer përgjigje zyrtare, mirëpo ekziston mundëia e madhe që ta refuzojnë ngase e vlerësojnë belgun rreth 40 milionë euro.
Chelsea dhe Napoli para disa javëve kanë negociuar edhe shkëmbimin e mundshëm Lukaku – Victor Osimhen, mirëpo nuk ia dolën të gjejnë “gjuhën e përbashkët” që i përmbush kërkesat e të gjitha palëve.
Napoli vazhdon të kërkojë mbi 120 milionë euro për shërbimet e nigerianit, por asnjë skuadër nuk është gati të ofrojë mbi 90 milionë euro.
Ndërkohë, transferimi i mundshëm i Lukakut te “Napolitanët” mund të kryhet vetëm nëse ia dalin ta shesin Osimhenin para se të mbyllet ky afat i verës.