Nadal i fokusuar në Lojërat Olimpike të Parisit, nuk do të luajë në Wimbledon
Rafael Nadal, që është dy herë kampion i turneut më të madh të tenisit Wimbledon, nuk do të luajë në këtë garë këtë vit, pasi fokusi kryesor i tij mbetet pjesmarrja në Lojërat Olimpike të Parisit.
38-vjeçari spanjoll tha se do të garojë në një garë në fushë balte në Bastad, Suedi, si përgatitje për turneun olimpik të tenisit që fillon më 27 korrik.
Wimbledon, ku Nadal fitoi në vitin 2008 dhe vitin 2010, fillon më 1 korrik, dhe është ngjarja më e madhe e tenisit.
Nadal, kampion 22 herë në Grand Slam, tha se ishte "i pikëlluar" që do t'i mungojë "atmosfera e shkëlqyer" e Wimbledon, e cila "do të jetë gjithmonë në zemrën time".
Pas eliminimit të tij në raundin e parë në French Open muajin e kaluar, Nadal tha se kthimi në baltë në Roland Garros në Lojërat Olimpike ishte tani objektivi i tij kryesor.
“Me këtë qëllim, ne besojmë se më e mira për trupin tim është të mos ndryshoj sipërfaqe dhe të vazhdoj të luaj në baltë deri atëherë”, tha ai.
Nadal, i cili renditet i 264-ti në botë, do të luajë dyshe me Carlos Alcaraz në Lojërat Olimpike, teksa do të garojë për medalje edhe në kategorinë individuale.
Nadal ka thënë më parë se ai priste të tërhiqej më vonë këtë vit, por tha para French Open se nuk mund të thoshte "100%" nëse do të ishte hera e fundit që ai luajti në atë turne.