Mourinho rikthehet në kohë, tregon pse e la Interin për Real Madridin
Trajneri Jose Mourinho e ka pranuar se ishte i frikësuar të rikthehet në Milano shkaku i emocioneve pasi vendosi të largohet nga Interi për t’iu bashkuar Real Madridit në vitin 2010.
Tekniku portugez drejtoi “Neurazzurët” për dy vite, mes 2008 – 2010 duke i ndihmuar ta fitojnë Scudetton në vitin e parë, pastaj tripletën në të dytin.
Sidoqoftë, pas atij triumfi ai u largua menjëherë duke marrë drejtimin e Real Madridit.
Në një intervistë për “Sky Sport Italia”, Mourinho zbuloi prapaskenat që e shtynë për ta bërë këtë lëvizje.
“Jam gjithmonë i sinqertë me të tjerët dhe veten. Mund të shkoja te Real Madrid pas sezonit tim të parë me Interin, por kisha nënshkruar për të qëndruar edhe një tjetër vit. Kishim një lidhje fantastike, jo vetëm me presidentin por edhe me gruan dhe fëmijët e tij”.
“Shkova te shtëpia e Morattit pas sezonit të parë dhe dolëm në përfundim se duhet të qëndroja edhe një vit. Nuk ishte humbja ose fitorja në finalen e Ligës së Kampionëve që do ta vendoste, sepse e dija që do t’iu bashkohesha dhe doja të kaloja te Real Madrid”.
“Mundësia erdhi për herën e dytë dhe doja të shkoja, ishte momenti i karrierës kur i thashë vetës duhet të shkoj. Janë klubi më i madh në botë”.
“Përtej fitimit ose mosfitimit të Ligës së Kampionëve, kishte një punë bazë që do t'i kishte shkuar një trajneri tjetër, gjithçka ishte perfekte”.
“Do të kishte qenë më komode për mua të qëndroja në Inter në vend që të konkurroja me Barcelonën, do të kisha fituar një tjetër Scudetto të lehtë, do të kishim shkuar të bëheshim kampionë të botës për klube, por nuk do të kishte kuptim për mua”.
“Lojtarët e mençur e dinin se çfarë kisha vendosur, pas finales së Ligës të Kampionëve nuk shkova në Milano sepse kisha frikë se emocionet do të më ndryshonin dhe kurrë nuk do t’i bashkohesha Real Madridit”.
“Refuzova ta nënshkruaj konratën me Real Madridin para finales ndaj Bayernit, por kisha frikë të kthehesha në Milano shkaku i emocioneve”.
Ndërkohë, Mourinho tani po drejton për sezonin e tretë Romën dhe po ëndrron rikthimin në Ligën e Kampionëve.