Mourinho jep “dritën jeshile”, Roma rikthen Sanchesin te PSG-ja
Roma duket se është lodhur nga mesfushori Renato Sanches dhe pritet ta rikthejë te Paris Saint-Germain qysh në muajin tjetër.
26-vjeçari iu bashkua skuadrës italiane në formë huazimi për 1 milion euro me opsion për blerje për 15 milionë euro, që do të bëhej e obligueshme nëse zhvillonte së paku 60 për qind të ndeshjeve këtë sezon.
Sidoqoftë, lëndimet e portugezit kanë ndikuar që të mos jetë në formën e duhur dhe klubi italian është lodhur nga kjo situatë. Në fakt, trajneri Jose Mourinho e largoi pas vetëm 18 minutave pasi e inkuadroi ndaj Bolognas, kurse s’u përfshi në skuadrën kundër Napolit.
Siç raporton “calciomercato”, Roma ka hequr dorë nga Sanchesi dhe do ta rikthejë te PSG-ja në afatin kalimtar të janarit për të krijuar hapësirë në skuadër.
Mesfushori ndihet shumë i vetmuar te skuadra italiane dhe nuk e di arsyen se pse dështoi të gjente formën nën urdhrat e Jose Mourinhos. Ai largoi nga rrjeti social “Instagram” të gjitha gjërat që e lidhnin me Romën duke dërguar mesazh të qartë.
Ndërkohë, Roma ka gjetur edhe pasuesin, me Mourinhon që mund ta ritkhejë Ola Solbakken që mezi ka luajtur te Olympiacosi dhe t’i jep një tjetër shans te ekipi i parë.