Mount: Më vjen keq për Tomorin, nuk besoj që ndërhyrja ishte për karton të kuq - NACIONALE

Mount: Më vjen keq për Tomorin, nuk besoj që ndërhyrja ishte për karton të kuq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Masson Mount ka folur për kanalin zyrtar të klubit pas fitores që Chelsea e arriti në “San Siro” mbrëmë me rezultat 0:2, e ku tërë vëmendjen e mori penalltia dhe kartoni i kuq për Fikayo Tomorin.

Chelsea ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e 1/8-ave të finales të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur rivalin direkt, Milanin. Dy fitore rresht ndaj ekipit italian e vënë Chelsean tani në një pozitë komode në grupin përkatës, ku udhëheq me 7 pikë, një më shumë sesa Salzburg dhe tre më shumë sesa Milan dhe Dinamo Zagreb.

Ishte pikërisht Mount ai që në minutën e 18-të në vlerësimin e gjyqtarit të ndeshjes u pengua me një ndërhyrje të parregullt nga ish-bashkëlojtari i tij, Tomori.

Sidoqoftë, me një sinqertë të madh futbollisti anglez ka deklaruar se vendimi për kartonin e kuq ishte i tepërt në gjykimin e tij.

“Nuk besoj që ishte për karton të kuq. Pastaj, se a ishte penallti, them ndoshta po. Jam një lojtar shumë i sinqertë. Doja të përpiqesha të shënoja dhe ai më tërhoqi paksa mbrapa, por më vjen keq për të dhe për atë vendim”, shtoi ai.

Mason Mount nuk e fshehi se ka një afërsi miqësie me mbrojtësin e Milanit: “Natyrisht se është një mik i imi. E njoh mirë Tomorin prej shumë kohësh. Më erdhi keq për të. Më vjen keq për të atë vendim që është shumë i rëndë.”

Ai dha një shpjegim të tij në lidhje me zhvillimin e aksionit: “E ndieja që po përpiqej të më tërhiqte mbrapa, por unë po vrapoja drejt portës. Kështu që, nuk do të rrezohesha dhe ndieja sikur kisha akoma mundësinë për të shënuar. Avancova më tej, nuk shënova dhe pastaj gjyqtari fishkëlloi për penallti.”

Mesfushori sulmues i Chelseat tha se është ndier paksa i befasuar me vendimin e gjyqtarit. Në fakt, edhe nga pamjet reprizë nuk është vërejtur asnjë lojtar i Chelseat që ka protestuar në lidhje me rrëzimin e Mountit.

“Jam ndier paksa i befasuar në atë moment, sepse e kisha kaluar dhe isha munduar të shënoja. Ishte e vështirë ta shihja teksa përjashtohej nga loja”, deklaroi ai.

Pas mbarimit të ndeshjes reagimet ishin të ashpra nga kampi i Milanit, duke filluar me trajnerin Stefano Pioli e deri te lojtarët, të cilët e quajtën njëzëri si një moment që ndikoi direkt në fatin e rezultatit final.

Edhe në shtypin e shkruar ish-trajnerë italian reaguan të indinjuar me vendimin e gjyqtarit të ndeshjes. Fabio Capello e quajti falsifikim të rezultatit vendimin për të përjashtuar nga loja Tomorin.

Lajme të ngjashme