Mo Salah pas humbjes triumfuese kundër Interit: Me rëndësi u kualifikuam
Jo rastësisht po e quajmë 'humbje triumfuese' disfatën e Liverpoolit kundër Interit me rezultat 1-0, të martën mbrëma, në ndeshjen e kthimit të fazës së eleminimit direkt në Ligën e Kampionëve.
Të Kuqtë u mposhtën 1-0 në 'Anfield', por eventualisht u kualifikuan falë rezultatit të përgjithshëm nga dy ndeshjet, 2-1.
Djelmoshat e Jurgen Kloppit takimin e parë në Itali e kishin fituar 2-0 dhe, në fund, ky rezultat doli të jetë krucial në kualifikimin drejt çerekfinales.
Mohamed Salah, në reflektimin e tij pas ndeshjes, u shpreh:
''Një skuadër e vështirë, në ndeshjen si mysafir ne arritëm të fitojmë dhe gjëja më e rëndësishme është se u kualifikuam.
''E godita shtyllën dy herë. Në rregull, ndoshta në ndeshjen e ardhshme do të shënoj tre gola. E humbëm takimin dhe ndoshta kjo do të jetë shtytje për ne që të mësojmë.
''Të gjithë duan ta fitojnë Ligën e Kampionëve dhe Premier Ligën, do të luftojmë për të dyja frontet, kështu që mbetet të shohim.''
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Lautaro Martinez në minutën e 62-të, teksa një minutë më vonë Interi mbeti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Alexis Sanchez me karton të dytë të verdhë për një ndërhyrje.
Shorti çerekfinal i Champions Leagues hidhet më 18 mars. Ndeshjet e para do të luhen më 5 dhe 6 prill, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë.