Mirlind Daku e mbyll me 10 gola sezonin në Premierligën ruse, shënon në ndeshjen e fundit (VIDEO)
Sulmuesi kosovar i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, e mbylli një sezon të suksesshëm në nivel personal me skuadrën e tij Rubin Kazan në Premierligën ruse.
Daku që u transferua në verën e vitit të kaluar te skuadra ruse për 1 milionë euro, ka qenë lojtari më i dalluar në Rubin Kazan.
Rubin Kazan dikur një gjigand në futbollin rus, që luante edhe në gara evropiane, tani pas 30 xhirove u rëndit në vendin e tetë, por që rënditja në futbollin rus nuk është që luan rol momentalisht, pasi asnjë skuadër nuk luan në gara evropiane, për shkak të pezullimit nga UEFA dhe FIFA për shkak që Rusia tentoi pushtimin e Ukrainës, me të dy shtetet që akoma e vazhdojnë luftën.
Mirlind Daku shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij sot në ndeshjen mbyllëse të sezonit.
Rubin Kazan u përball me Sochin, me këta të fundit të rënë tashmë nga liga.
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë pranoi një asistim nga Vada, për të shënuar gol të bukur për epërsinë e skuadrës së tij në minutën e 22-të, por Sochi arriti të barazonte në minutat e fundit të ndeshjes.
Mirlind Daku, Rubin Kazan, Rusi pic.twitter.com/K1WWLfYT4D
— News video (@Newsvideo13) May 25, 2024
Daku, ashtu si pothuajse çdo ndeshje edhe kësaj radhe ishte më i dalluari në fushë për skuadrën e tij.
Në sezonin e tij të parë në Premierligën ruse, ai shënoi 10 gola dhe ndihmoi me katër asistime, duke qenë i shtati në listën e golashënuesve më të mirë në Rusi.
Me këtë formë të mirë, ai synon një ftesë nga Sylvinho për Kampionatin Evropian, ndonëse e ka pranuar ditë më parë që akoma nuk e ka pranuar një gjë të tillë deri më tani.
Vlera e tij aktuale në treg është 1.5 milionë euro dhe me shumë gjasë do të largohet në verë në drejtim të një skuadre më të madhe, pasi për yllin kosovar të Shqipërisë ka interesim mjaft të madh.