Milani fiton me përmbysje ndaj Parmas
AC Milani ka shënuar fitore me përmbysje të madhe ndaj Parmas, e vlefshme për xhiron e 22-të në Serie A.
“Rossonerët” arkëtuan pikët e plota me dy gola në kohën shtesë, ku epilogu përfundimtar doli të jetë 3:2.
Mysafirët e nisën më mirë me Matteo Cancellierin që me një gol të bukur i dha epërsinë Parmas (24’).
Sidoqoftë, Milani u kthye në lojë përmes Christian Pulisic që realizoi nga pika e bardhë (38’).
Parma arriti ta kthente epërsinë falë Enrico del Prato, që shënoi lehtë nga afërsia pas një topi të kthyer (80’).
Kur të gjithë mendonin se Milani pësoi humbje, në skenë doli Tijjani Reijnders që me një supergol e barazoi rezultatin (90+2’).
Kurse, në aksionin e fundit Samuel Chukwueze bëri heroin për t’ia fituar pikët e plota “Rossonerëve” (90+5’).
Milani renditet në pozitën e gjashtë me 34 pikë ndërsa Parma zë vendin e 17-të me 20 sosh.