Milan siguron fitoren e radhës në kampionat, mposht në udhëtim Sampdorian - NACIONALE

Milan siguron fitoren e radhës në kampionat, mposht në udhëtim Sampdorian

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Skuadra e Piolit ka siguruar fitoren e radhës në Serie A, duke mposhtur Sampdorian në udhëtim me rezultat 1:2, edhe pse për më shumë se 40 minuta u ndodh me një lojtar më pak.

Milani mori një fitore të vlefshme kundër Sampdorias gjatë mbrëmjes së sotme. Sërish vendimtar u tregua Giroud, i cili me pjekurinë dhe përvojën e tij mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, e cila i dha edhe tre pikët skuadrës kuqezi.

Sampdoria nuk ia doli dot ta shfrytëzojë faktin se ishte me një lojtar më shumë në fushë nga minuta e 47-të e pjesës së dytë, kur u përjashtua nga loja Leao me kartonin e dytë të verdhë.

Kjo është fitorja e dytë radhazi që Milan e arrin në Serie A, pasi javën e kaluar arriti ta fitojë derbin e madh kundër Interit.

Raporti i ndeshjes Sampdoria 1:2 Milan

Që në fillim të ndeshjes Milan tregoi një qasje serioze në fushë, me një dëshirë të madhe që të dilte me tre pikët nga stadiumi i Genovas.

Kësisoj, nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i epërsisë për kampionët në fuqi. Një aksion kryevepër i ndërtuar nga Leao, prodhoi golin e parë në ndeshje në minutën e 6-të të takimit. Sulmuesi teknik portugez, Leao, shërbeu mjaft mirë Messias, i cili nuk gaboi para portës së Sampdorias, duke shënuar për 0:1.

Mbizotërimi në lojë nga Milani vazhdoi edhe në minutat në vijim të pjesës së parë, por pa arritur që të gjenin edhe golin e dytë.

Me të filluar pjesa e dytë, konkretisht pas dy minutave lojë të zhvilluara, erdhi momenti te një shpërthim në reagim nga Leao. Për sjellje jo korrekte ai u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në fushë.

Sampdoria e shfrytëzoi këtë kapital në minutën e 57-të, kur Augello shërbeu për Djuricic dhe ai u tregua i saktë para portës së Maignan, duke e mposhtur atë.

Mirëpo shifrat në baraspeshë nuk është se zgjatën shumë. Pas dhjetë minutash lojë, Milan fitoi një penallti, pasi lojtari i Sampdorias, Villar, u vu re nga përsëritja e pamjeve në VAR se kishte prekur topin me duar kur Milan vetëm se e kishte ekzekutuar një këndore nga ana e djathtë e fushës.

Gjyqtari me ta parë vet rrjedhën e aksionit dhe episodin në fjalë, vendosi që t’ia akordojë penalltinë Milanit. I përhershmi, Olivier Giroud, u tregua i saktë nga ekzekutimi i 11-metërshit, duke e kaluar sërish në epërsi skuadrën kuqezi.

Deri në fund të ndeshjes Milani u përkujdes që vetëm ta administrojë rezultatin, duke e arritur me mjaft sukses një gjë të tillë, për ta konfirmuar kështu fitoren e radhës.

Këto tre pikë e dërgojnë Milanin në pozitën e dytë tabelare me 14 pikë të tubuara, po aq sa ka edhe Napoli që sot fitoi ndaj Spezias me rezultat 1:0.

Lajme të ngjashme