Milan mbyll dyert për transferime të reja, Pioli: Kemi cilësitë e duhura për të dalur nga kjo situatë
Milan është futur në një krizë rezultatesh. Transferimet e afatit kalimtar veror nuk po arrijnë t’i sjellin frytet e veta. Sido që të jetë, Sefano Pioli përjashtoi mundësinë që skuadra të përforcohet gjatë ditëve në vijim sa është i hapur afati kalimtar dimëror.
Skuadra kampione në fuqi e Italisë nuk po di të fitojë. Fitorja e fundit e Milanit daton më 4 janar. Që atëherë vetëm rezultate dëshpëruese ka korrur.
Për Piolin nuk ka nevojë për alarmizme, e aq më shumë për transferimin e lojtarëve të tjerë, sepse, sipas tij, skuadra që drejton ai ka cilësitë e nevojshme për të dalur nga ky tunel i errët.
“Kemi resurset dhe cilësitë e nevojshme për të dalur nga kjo situatë. Klubi është përgjigjur rreth afatit kalimtar prej shumë kohësh. Nuk na duhej lëndimi i Tomorit, por janë gjëra që ndodhin, sepse luajmë shpesh. Gjithsesi, jemi mirë kështu siç jemi”, tha ai.
Mesfushori belg, De Ketelaere, nuk po përshtatet siç duhet në skemat e tij. Pioli mundohet ta shohë nga një tjetër këndvështrim formën e transferimit më të kushtuar të afatit kalimtar veror.
“Sigurisht se tani është më mirë fizikisht. Është më i fortë. Ai është një lojtar kreativ, që luan mbrapa sulmuesit dhe nëse do të luajë do të vendoset pikërisht në atë zonë të fushës. Shumë herë kemi vendosur bashkërisht atë dhe Giroud”, shtoi ai.

De Ketelaere u ble nga Genk më 2 gusht 2022 pas një odiseade të gjatë, e cila zgjati me muaj. Kartoni i tij kushtoi 32 milionë euro, por deri tani ka lënë shumë për të dëshiruar, duke mos arritur ta ndihmojë skuadrën.
Në gjashtëmbëdhjetë (16) paraqitje të zhvilluara në Serie A, përfaqësuesi belg ka regjistruar vetëm një (1) asist. Kaq. Asgjë më shumë. Dhe, në shumicën e rasteve edhe i kritikuar si dështak i sezonit.
Milan për momentin zë pozitën e 2-të me 38 pikë të arkëtuara. Dallimi në pikë me kreun e tabelës, respektivisht Napolin, është i theksueshëm. Pra, dallim 12 pikësh, që vështirëson tej mase rikthimin e “Kuqezinjve” si pretendentë të denjë për titull.
Nesër Milani me fillim në ora 12:30 të luajë sfidën e radhës në kampionat, ku pret në “San Siro” Sassuolon, ndaj të cilës në ndeshjen e fundit të sezonit paraprak fitoi dhe siguroi titullin e 19-të.
