Milan kërkon përforcim në mesfushë, vë në shënjestër yllin e Kombëtares së Italisë
Stefano Pioli po synon që ta përforcojë repartin e mesfushës. Drejtuesit e klubit “Kuqezi” kanë filluar gjuetinë për të siguruar shërbimet e përfaqësuesit italian, Davide Frattesi.
Afati kalimtar i janarit po afron dhe Milan nuk e ka ndër mend të qëndrojë duarkryq. Drejtuesit e skuadrës kampione në fuqi të Italisë i kanë vënë një detyrë vetes që t’ia dhurojnë Stefano Piolit një përforcim të denjë për fazën e dytë të sezonit.
Kështu Milani edhe zyrtarisht ka hyrë në garë për shërbimet e mesfushorit të spikatur italian Davide Frattesi. 23-vjeçari i Sassuolos ka lënë mbresa të mira në dy sezonet e fundit, duke qenë njëri prej lojtarëve më të dalluar edhe në nivel lige.

Ka kohë që për kartonin e tij ka shprehur interesim edhe Josè Mourinho. Trajneri portugez do dëshironte që ta kishte në radhët e veta te Roma, por tani duhet t’i bëjë llogaritë edhe me Milanin që do ta rivalizojë në këtë garë.
Sipas mediumit të afërt me Milanin, “Sportmediaset”, Sassuolo kërkon që t’i bëhet një ofertë prej 30-35 milionë euro që në fillim, pa llogaritur këtu bonuset. Sidoqoftë, as Roma e as Milani nuk pritet që të tregojnë gatishmëri për të paguar një shumë të tillë parash që në janar.
Andaj drejtuesit e Milanit do të mundohen që ta paraqesin një ofertë tjetër: huazim me mundësi të blerjes, ku Sassuolo do të përfitonte fillimisht 10 milionë euro.

Klubi emiljan është në pozitë të mirë negociatore, meqë kontrata e mesfushorit të vet është afatgjate, pasi ajo nuk skadon deri më 2026.
Duhet theksuar fatin që 23-vjeçari në sezonin aktual të Serie A ka regjistruar 4 gola të shënuar në 15 paraqitje. Ai ka qenë edhe titullar në disa prej ndeshjeve kualifikuese që ka zhvilluar Italia gjatë periudhës së vjeshtës në Ligën e Kombeve.
