Milan fiton dhe bind kundër Dinamo Zagrebit, Shakhtar dhe Celtic ndahen baras
Kampionia e Italisë, Milan, ka arritur ta sigurojë një fitore të pastër prej 3:1 kundër Dinamo Zagrebit. Në ndeshjen tjetër, Shakhtar dhe Celtic u ndanë në paqe.
Milan ia doli t’i marrë tre pikë të rëndësishme sonte, duke mposhtur Dinamo Zagrebin, në një sfidë ku u dominua nga nikoqirët.
Padyshim që skuadra e Piolit tregoi më shumë në fushë dhe me meritë ia doli të fitojë, por vlen të cekët përkushtimi dhe kompaktësia që u vunë në pah edhe një herë nga Dinamo Zagreb, pa marrë parasysh humbjes.
Ndërkaq, sa i përket ndeshjes që u zhvillua në Warsaw, asaj mes Shakhtarit dhe Celticut, skocezët ishin mbizotërues në fushë, por nuk ia dolën që ta ruajnë epërsinë, duke u mjaftuar me një pikë në fund.
Raporti i ndeshjes: Milan 3:1 Dinamo Zagreb
Milan e nisi me formacionin më të mirë të mundshëm ndeshjen, i vetëdijshëm se pikët e plota i duheshin me çdo kusht, pas barazimit që regjistroi në javën e parë kundër Salzburgut si mysafir.
Andaj, me një qasje sulmuese dhe kërkuese, ekipi i Piolit hyri në fushë për ta zhbllokuar rezultatin sa më parë.
Sidoqoftë, përkundër përpjekjeve, një gjë e tillë erdhi me vonesë. U deshtë një lojë individuale e Leaos që Milan ta nxjerrte në favor të vet një penallti pak para përfundimit të pjesës së parë.
Në minutën e 45-të, përgjegjësinë për ta ekzekutuar 11-metërshin e mori Olivier Giroud. Ai ishte i saktë me goditjen e tij, duke ia dhënë epërsinë Milanit pak sekonda para se skuadrat të shkonin në zhveshtore për pauzën e 15 minutave.
Në pjesën e dytë ndeshja ishte më e ekuilibruar dhe me ritëm më të ngadaltë. Milani në mënyrë të shpejtë, me anë të golit që shënoi Saelemaekers në minutën e 47-të, gjithnjë falë një harkimi të shkëlqyer nga Leao.
Reagimi i Dinamo Zagrebit erdhi pas nëntë minutave. Skuadra kroate përmes një aksioni fantastik gjeti golin e vetëm në këtë ndeshje, por që për disa minuta ngjalli shpresat e tyre. Një kombinim mes Petkovic dhe Orsic, prodhoi golin për 2:1, me fantazistin kroat që nuk gaboi nga distanca e afërt me portën e Maignan.
Në vazhdim të ndeshjes Milan arriti që ta mbante nën kotnroll ndeshjen. Për më tepër, ia doli që ta shënojë edhe golin e sigurisë dhe qetësisë, me anë të Pobega, i cili shënoi bukur në minutën e 77-të, pasi u shërbye nga Hernandez.
Me këtë rezultat (3:1) përfundoi e tërë ndeshja. Milani i gëzohet fitores së parë në grupin e vet, duke rrëmbyer pozitën e parë në tabelë.

Raporti i ndeshjes Shakhtar 1:1 Celtic
Skocezët ishin më të mirë gjatë thuajse të gjithë ndeshjes, por nuk ia dolën që ta sigurojnë një fitore, të cilën në fund të ditës edhe do ta meritonin.
Gjithsesi, goli i parë në ndeshje erdhi përmes një autogoli dhe atë e shënoi mesfushori i skuadrës ukrainase, Boundarenko, në minutën e 10-të të takimit.
Edhe pse Celtic po vazhdonte të ishte ekip më kërkues në fushë, ata nuk arritën ta shmangin golin e barazimit nga vendësit.
Në minutën e 29-të sulmuesi 21-vjeç Mudryk, hyri mjaft mirë në zonë duke vrapuar me topin në pronësi për dhjetëra metra. Kësisoj, me t’u afruar drejt portës së Celticut, ai nuk gaboi, duke e dërguar topin në rrjetë për 1:1.
Në 60 minutat në vijim Celtic pati më shumë raste shënimi nga loja, por pa qenë pragmatik. Në fund, skuadrat u desh të pajtohen me një pikë.
Kështu duket grupi F pas përfundimit të kësaj ndeshje.

