Milaim Rama: Gjestin e Xhakës do ta bëja edhe unë, jam krenar që çika ime luan për Kosovën
Milaim Rama, futbollisti i parë i lindur në Kosovë që ka luajtur në një Kampionat Evropian për Zvicrën, ndihet krenar që vajza e vet tani e përfaqëson atdheun e tij Kosovën në futbollin ndërkombëtar.
Rama, i cili kishte migruar nga Kosova në Zvicër në moshën 17-vjeçare në vitin 1993 nga fshati Zhiti i Podujevës, e përfaqësoi shtetin helvetik në Euro 2004, duke u bërë kosovari i parë që luan në një turne të madh për Zvicrën.
Ai i bëri shtatë paraqitje për Zvicrën në një kohë kur Kosova nuk ishte shtet i pavarur dhe nuk kishte ekip të vetin kombëtar.
Atë që nuk ka pasur mundësi ta bëjë 46-vjeçari po e bën vajza e tij Alketa, e cila e përfaqëson Kosovën në futbollin ndërkombëtar të grave.
“Alketa u lind këtu (në Zvicër) dhe tani luan për ekipin e dytë të Zurich dhe luan edhe për ekipin kombëtar të Kosovës”, tha Rama për Blick.
Ai tregoi se si 19-vjeçarja kishte vendosur ta përfaqësonte Kosovën.
“Kur ajo ishte 17-vjeçare, mori ftesë nga Federata e Kosovës. Në një çast ajo më tha mua: ‘Baba, ju luajtët për Zvicrën dhe unë tani po luaj për Kosovën. Shpresoj se mund t’i jap diçka këtij vendi me arritjet e mia’. Jam shumë krenar që një anëtar i familjes tonë tani e përfaqëson vendin tonë”, tregoi ai.
“A e dini cila është gjëja më e mirë tani? Ajo luan ndeshjet e kombëtares në stadiumin e Prishtinës, aty ku unë isha tifoz si fëmijë”, shtoi ai.

Ai foli edhe për pjesëmarrjen në Euro 2004 me Zvicrën dhe për atë se si ishte pritur kjo në Kosovë.
“E tërë Kosova ishte krenare me mua atëherë. Ishte sikur përrallë. Një njëri i jonë erdhi në Zvicër, u bë lojtar i ekipit kombëtar, luajti disa minuta në Kampionatin Evropian dhe u fut në librin e historisë. Thjesht e pabesueshme”, tregoi ai.
Pasuesit e tij në Kombëtaren e Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, shkaktuan polemika të shumta kur festuan duke e bërë me duar shqiponjën dykrenore, pasi shënuan kundër Serbisë në Kupën e Botës Rusia 2018.
Por Rama nuk mendon se ai veprim duhej t’i zemëronte zviceranët dhe thotë se edhe vetë do ta kishte bërë.
“Jo, ishte thjesht një gjest, asgjë më shumë. Edhe unë do ta kisha bërë shqiponjën dykrenore”, këmbënguli ai.
