Messi zgjidhet Sportisti më i Mirë i Vitit në Botë
Lionel Messi është shpallur Sportisti më i Mirë i Vitit, ndërsa Kombëtarja e Argjentinës që e fitoi Kupën e Botës 2022 është zgjedhur Ekipi më i Mirë i Vitit në ceremoninë e zgjedhjes së Laureatëve të vitit.
Messi e udhëhoqi Argjentinën si kapiten, duke i shënuar shtatë gola dhe e fitoi Topin e Artë në triumfin e lavdishëm të vendit të tij në Kupën e Botës 2022 në Katar në dhjetor.
Ai është atleti i parë që i fiton çmimet individuale dhe ekipore në të njëjtin vit.
Sportistja e vitit shkoi për vrapuesen nga Xhamajka Shelly-Ann Fraser-Pryce.
Ajo e fitoi titullin e botës në 100 metra në Kampionatin Botëror të Atletikës në Oregon në korrik, duke u bërë personi i parë që i fiton pesë medalje të arta në një ngjarje individuale në botëror.
“Ky është një çmim i veçantë”, tha sulmuesi i Paris Saint-Germain Messi.

“Veçanërisht pasi çmimet për laureatët sportivë u mbajtën në Paris këtë vit, qytetin i cili e ka mirëpritur familjen time qëkur erdhëm këtu më 2021”, shtoi 35-vjeçari.
“Dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët e mi, jo vetëm nga ekipi kombëtar por edhe ata në PSG. Asgjë nga këto nuk do t’i kisha arritur i vetëm dhe jam mirënjohës që jam në gjendje të ndaj gjithçka me ta”.
Argjentina e fitoi Kupën e Botës për herë të tretë, duke e mundur Francën në penallti në Doha, pas mbase finales më të mirë të të gjitha kohëve, që mbaroi me barazim 3:3.
