Messi shënon gol të jashtëzakonshëm, Inter Miami kualifikohet në finale të Kupës së Ligës (VIDEO) - NACIONALE

Messi shënon gol të jashtëzakonshëm, Inter Miami kualifikohet në finale të Kupës së Ligës (VIDEO)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga transferimi i Lionel Messit te Inter Miami, gjërat kanë ndryshuar për këtë skuadër. Ata nuk dinin për fitore pa argjentinasin, ndërsa tani kanë fituar çdo ndeshje të mundshme, me 36-vjeçarin që ka shënuar një nga golat më të bukur të tij në karrierë.

Inter Miami u përball me Philadelphia Union në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, ku fituan me rezultat 4:1.

Josef Martinez e çoi Miamin në epërsi vetëm tre minuta pasi filloi takimi.

Por kryefjala e ndeshjes ishte goli i dytë. Messi mori një top pothuajse te gjysma e fushës, pastaj për të goditur fuqishëm nga një distancë e largët, ku shënoi gol të jashtëzakonshëm për 2:0.

Me këtë gol ai tani numëron nëntë gola te Inter Miami, duke u treguar në shumë raste vendimtar për këtë skuadër.

Edhe Jordi Alba e gjeti veten në listën e golashënuesve, kur në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi për 3:0.

Krejt çfarë Philadelphia bëri në këtë ndeshje ishte një gol i shënuar nga Alejandro Bedoya në minutën e 73-të për 3:1, ndërsa David Ruiz i Inter Miamit shënoi për 4:1, që ishte rezultati përfundimtar i takimit.

Miami tani kalon në finale të Kupës së Ligës, ku më 20 gusht do të ketë punë me Nashville, e Lionel Messi mund të stoliset me trofeun e parë që nga ardhja e tij te skuadra e MLS.

Lajme të ngjashme