Messi: Ndihem shumë më mirë tani te PSG, vitin e kaluar kalova kohë të keqe
Ylli i PSG-së, Lionel Messi thotë se ndihet rehat në “Parkun e Princave” dhe që edicionin e kaluar kaloi një kohë shumë të keqe.
Argjentinasi nuk ishte në formë të mirë edicionin e kaluar duke qëndruar në hijen e Kylian Mbappes, derisa nuk arriti të tregojë kualitetin e lartë që e bënte një ndër më të mirët në histori si te Barcelona.
Sidoqoftë, këtë edicion është thjesht i pandalshëm, duke dhuruar ‘show’ në çdo ndeshje dhe qenë në formë të mahnitshme.
Pas fitores së djeshme për Argjentinën, ku shënoi dygolësh – Messi tha se tani është duke u përshtatur te PSG dhe gjetur sërish formën e duhur.
"Ndihem mirë, kisha një kohë të keqe që asnjëherë nuk e kisha menaxhuar më parë. Ky vit është ndryshe, jam më rehatshëm në klub, në dhomën e zhveshjes dhe në lojë. Ndihem shumë mirë dhe jam duke shijuar prapë vetën".
I pyetur për orarin e ngjeshur dhe përgatitjen për Kupën e Botës, shtatë herë fituesi i Topit të Artë deklaroi se shpreson të mos lëndohet, mirëpo orari është mjaftë i ngjeshur.
"Është e komplikuar në aspektin e ndeshjeve, ka shumë lojë dhe pak kohë për të pushuar. Por, ti duhet t'ia dalësh si gjithmonë. Nëse mendon të kujdesesh për vetën dhe të mungosh, mund të kthehet më keq. Shpresoj që të mos më ndodh".

Rinovimi me PSG-në ose rikthimi te Barcelona
Pasi të përfundojë Kupa e Botës, Lionel Messi do të ketë dy opsione në tavolinë sa i përket të ardhmes në aspektin sportiv.
Ai mund të vazhdojë me PSG-në, skuadër kjo që është duke pritur që të nisin negociatat për të aktivizuar klauzolën në kontratë, që e vazhdon kontratën e argjentinasit edhe për një tjetër vit, pra deri më 2024.
Ose, opsioni i dytë është rikthimi i bujshëm te Barcelona, skuadër kjo që nën urdhrat e Joan Laportas ka nisur punën dhe mezi presin rikthimin e argjentinasit edhe për disa vite, e pastaj ai do të merr edhe rolin e ambasadorit.
Momentalisht, Messi nuk është duke konsideruar asnjërën ofertë, pasi që dëshiron të fitojë Kupën e Botës, trofe ky që nuk e ka fituar ende në karrierën si futbollist profesionist.
Këtë edicion nën urdhrat e Christophe Galter, Messi ka shkëlqyer me gjashtë gola dhe tetë asistime brenda 11 ndeshjeve në fushë.