Messi e turpëroi mbrëmë, por çka kishte thënë Gvardioli për të në vitin 2021
Josko Gvardiol ishte duke kaluar nëpër formë jetësore në skenën më të madhe të futbollit botëror, derisa u përballë me atë që një vit më parë e quante idhull të fëmijërisë, Lionel Messin.
Qendërmbrojtësi i Kroacisë Gvardiol është cilësuar si mbrojtësi më i mirë në Kupën e Botës Katar 2022, duke i ndihmuar ekipit të vet kombëtar të arrijë në gjysmëfinale.
Përballja me Messin, megjithatë, doli të ishte e papërballueshme për 20-vjeçarin e RB Leipzigut, pasi shtatë herë fituesi i Topit të Artë e dribloi disa herë për të asistuar në golin e tretë të fitores së Argjentinës 3:0 të martën.

Një video është duke e bërë xhiron e botës në rrjetet sociale të mërkurën, në të cilën ai shihet duke e cilësuar Messin si idhullin e vet.
I pyetur se cili ishte idhulli i fëmijërisë së tij, Gvardiol kishte thënë: “Messi. Mendoj se ai është diçka që ndodh vetëm një herë në 100 vite”.
🇭🇷 Gvardiol (2021): “Messi. I think he’s something that happens once in 100 years.” pic.twitter.com/Yr3qXgpN2H
— All About Argentina 🛎🇦🇷 (@AlbicelesteTalk) December 14, 2022
Messi e sheh Katarin si mundësinë e fundit për të triumfuar në një Kupë Bote
35-vjeçari thotë se ta përfundojë këtë kampanjë me triumf në fund do të ishte fantastike, pasi që Kupa e Botës e ardhshme është katër vite larg dhe ai mendon se nuk do të jetë në gjendje t'ia dalë të jetë prezent.
“Jam shumë i lumtur që do ta mbaroj rrugëtimin tim në Kupën e Botës me një ndeshje finale, që do ta luaj ndeshjen e fundit në finale. Kjo është vërtet një kënaqësi e madhe”, tha Messi pas ndeshjes.
“Ka shumë vite nga ky Botëror në tjetrin. Nuk mendoj se do të jem në gjendje t’ia dalë. Ta përfundoj në këtë mënyrë është fantastike”, shtoi ai.
Kupa e Botës është lavdia e vetme që i mungon, dhe Messi do ta ketë mundësinë e dytë për ta fituar atë, pas disfatës në finalen e vitit 2014 në kurriz të Gjermanisë.
“Do ta japim më të mirën nga vetja, siç kemi bërë deri këtu, në mënyrë që këtë herë të ndodhë vërtet, ne vërtet duam ta fitojmë atë”, theksoi Messi.
“Shpresoj se njerëzit në Argjentinë po e shijojnë këtë po aq sa ne këtu. Ata nuk duhet të dyshojnë se ne po japim gjithçka nga vetja”, shtoi ai.

