Messi e lavdëron Martinezin pasi u shpall portieri më i mirë i vitit
Lionel Messi e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij te Argjentina, Emiliano Martinez, pasi ky i fundit e fitoi çmimin si portieri më i mirë i vitit, për të dytin vit radhazi.
Martinez u kurorëzua sërish si portieri më i mirë në planet të hënën mbrëma në ndarjen e çmimeve të Topit të Artë në Paris. Portieri argjentinas ka kaluar 12 muaj të mrekullueshëm, duke ndihmuar kombëtaren e tij të fitojë Kupën e Amerikës dhe të kualifikohet në Ligën e Kampionëve me Aston Villa. Martinez mundi konkurrencën nga portieri i Spanjës Unai Simon, Andriy Lunin i Real Madridit, Gianluigi Donnarumma i PSG-së dhe Mike Maignan i AC Milan për të marrë çmimin.

Martinezit iu dhurua trofeu nga Lautaro Martinez, i cili përfundoi i shtati në renditjen e Topit të Artë, pavarësisht se ishte zgjedhja e Messit për çmimin kryesor pasi fitoi Kupën e Amerikës dhe titullin e Serisë A me Interin. Mesfushori i Spanjës dhe Manchester Cityt, Rodri përfundoi duke fituar Topin e Artë, pasi e mposhti yllin e Real Madridit, Vinicius Jr, por Messi ishte ende i kënaqur që pa Lautaron të merrte pjesë në ceremoni dhe të vlerësohej për arritjet e tij me klubin dhe vendin.
Ai postoi në Instagram: “Urime të gjithë fituesve dhe të nominuarve të Topit të Artë 2024. Sidomos për Dibu (çfarë njeriu i madh, një çmim tjetër për portierin më të mirë në botë!), për Lautaron, për Leo dhe Ale. Është shumë bukur t'i shohësh atje!"

Messi do të ribashkohet me shokët e skuadrës së tij të Argjentinës në nëntor kur skuadra e Lionel Scalonit do të zhvillojë ndeshjet e radhës. Argjentina do të përballet me Paraguajin dhe Perun në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.