Messi e Inter Miami do ta luajnë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube
Lionel Messi dhe Inter Miami do ta luajnë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube kundër skuadrës egjiptiane, Al Ahly, ndërsa pjesë e grupit do të jenë edhe Palmerias e Porto.
Shorti u tërhoq sot në Miami, me 32 skuadra që mësuan fatin e tyre, në formatin e ri të kësaj gare që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Turneu do të fillojë më 15 qershor 2025 me ndeshjen Inter Miami - Al Ahly në stadiumin Hard Rock, ndërsa finalja e madhe zhvillohet më 13 korrik në MetLife Stadium, ku do të zhvillohet edhe finalja e Kupës së Botës 2026.
Ndër klubet më të fuqishme në fushë janë Manchester City, Real Madrid, Bayern Munich, Paris Saint-Germain, Chelsea , Borussia Dortmund dhe Inter. Janë edhe katër skuadrat e renditura më të mira nga Amerika e Jugut: Flamengo, Palmeiras, River Plate dhe Fluminense.
Dhe skuadra e Messit, si përfaqësuese e kombit pritës, merr nderin e ndeshjes së parë.
“Ka të bëjë me gjithëpërfshirjen, ka të bëjë me sjelljen e klubeve nga e gjithë bota, 32 klubet më të mira dhe lojtarët më të mirë nga e gjithë bota së bashku”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Gara e klubeve përdor formatin tradicional me 32 skuadra të përdorura nga Kupa e Botës nga viti 1998 deri në vitin 2022. Tetë grupe me katër skuadra secila, me dy të parat nga secili grup që avancojnë në fazën e eliminimit direkt, apo në 1/8 e finales.