Messi do ta bëjë paraqitjen e parë nga fillimi për Inter Miamin kundër Atlanta Unitedit
Ylli argjentinas, Lionel Messi, pritet që ta fillojë ndeshjen nga minuta e parë për skuadrën e re të tij Inter Miami, në ndeshjen e Kupës së Ligës, kundër Atlanta Unitedit, që zhvillohet gjatë mëngjesit të hershëm të së mërkurës. Nga minuta e parë do të paraqitet edhe ylli tjetër, Sergio Busquets.
Trajneri Tata Martino zbuloi se të dy lojtarët yje do të luajnë një rol më të madh në ndeshjen e ardhshme dhe se ka gjasa të fillojnë. Messi dhe Busquets, të cilët luajtën 568 herë së bashku gjatë periudhës së tyre me Barcelonën, bënë debutimin e tyre në ShBA kundër Cruz Azul nga bankina javën e kaluar dhe ylli argjentinas shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë në minutën e fundit për t'i dhënë Miamit një fitore 2:1.
“Ka shumë mundësi që Leo dhe Busi të luajnë më shumë. Është e mundur të besohet se nëse ata luajnë më shumë minuta, dinamika e ekipit do të ndryshojë, dhe ata ka të ngjarë ta bëjnë këtë që në fillim. Gjithçka do të varet nga mënyra se si ata ndihen”, tha Martino të hënën.

Pasi luajti një rol instrumental kundër Cruz Azul, Messi tashmë është emëruar kapiten i klubit. Ndikimi i tij, së bashku me praninë e Busquets në qendër të mesfushës, u prit mirë nga shoku i skuadrës Robert Taylor, me mesfushorin që përshëndeti kontributin e tyre në ndryshimin e lojës.
“Kur ata hynë në fushë, padyshim që ndryshuan lojën masivisht”, tha ai. “Ajo që vura re, sa herë që merrja topin nga Busquets ose Messi, do të kisha shumë hapësirë dhe kohë. Ata tërheqin lojtarët tek vetja dhe ata e dinë se kur duhet ta lëshojnë topin dhe kur ta mbajnë atë. Është një nivel që ata sjellin në lojë që do t'i ndihmojë të gjithë rreth tyre."
Messi e Busquets do të synojnë t’ia sjellin fitoren e radhës klubit të tyre në kuadër të grupeve të Kupës së Ligës, teksa gjithashtu të dy yjet do të duhet ta ndihmojnë skuadrën në MLS, pasi Inter Miami gjendet në vendin e fundit, me asnjë fitore në 11 ndeshjet e fundit.

