Mësohet gjysmëfinalisti i fundit në EURO 2024, Holanda triumfon me përmbysje ndaj Turqisë - NACIONALE

Mësohet gjysmëfinalisti i fundit në EURO 2024, Holanda triumfon me përmbysje ndaj Turqisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Është mësuar edhe gjysmëfinalisti i fundit i Kampionatit Evropian 2024, e ajo është Holanda që me përmbysje ka arritur ta mposhtë Turqinë me rezultat 2:1, për të kaluar në mesin e katër skuadrave më të mira.

Pjesa e parë e takimit në Olympiastadion në Berlin i takoi Turqisë, të cilët ishin shumë të rrezikshëm me daljet e tyre në kundërsulm, madje dhe arritën të shënonin golin e epërsisë.

Në anën tjetër, Holanda, vuajti të gjente ritmin e saj, duke mos u shfaqur pothuajse asnjëherë në pjesën e Turqisë.

Si rrjedhojë, Akaydin, shënoi për 1:0 në minutën e 35-të, kur Arda Guler harkoi bukur në zonë.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit, ndërsa në 45 minutat në vazhdim Holanda shfaqi krejtësisht fytyrë tjetër, duke arritur ta përmbysë rezultatin.

Pas disa rasteve të krijuara, goli i barazimit erdhi në minutën e 70-të.

Ishte Memphis Depay që harkoi, me Stefan de Vrij që shënoi gol me kokë për rezultatin 1:1.

Vetëm gjashtë minuta më vonë ndodhi përmbysja e madhe. Denzel Dumfries dërgoi një top fantastik në thellësi të zonës, ndërsa Cody Gakpo preku topin për ta çuar në rrjetë, por përfundimisht Mert Muldur shënoi autogol për rezultatin 2:1.

Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim në rezultat, me Holandën që kualifikohet në gjysmëfinale të Evropianit 2024.

Ata do të përballen me Anglinë më 10 korrik, ndërsa Turqia përfundon këtu një rrugëtim ëndrrash në EURO 2024, duke u paraqitur dinjitetshëm në pesë paraqitjet e tyre.

Lajme të ngjashme