Merret vendimi për Ronaldon, pas thirrjeve për ta dëbuar nga Arabia Saudite për gjestin e pahijshëm
Cristiano Ronaldo nuk do të ndëshkohet për gjestin e turpshëm që e bëri pas përfundimit të ndeshjes Al-Nassrit kundër Al-Hilalit, që shkaktoi polemika dhe nxiti thirrjet për dënimin e tij nga Arabia Saudite.
Përfaqësuesi i Portugalisë luajti 90 minuta, por nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte Al-Nassrit ta shmangte humbjen 2:0 kundër rivalit Al-Hilal në kampionatin saudit Pro League të martën dhe si pasojë e lëshuan nervat.
Ronaldo, 37 vjeç, ishte i zemëruar me rezultatin dhe u largua me vrull nga fusha dhe – sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale – ai shihet duke i kapur organet gjenitale si përgjigje ndaj tifozëve të cilët po e brohorisnin emrin e Lionel Messit.
Ky gjest i tij shkaktoi zemërim dhe pakënaqësi në vendin mysliman. Veprimi i tij u cilësua si fyes në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe së fundmi në rrjetet sociale u bë trend hashtagu që bën thirrje për dënimin e tij “Dëbim për abuzuesin e tifozëve”.
Por Komiteti Disiplinor dhe i Etikës i Federatës Saudite të Futbollit ka shqyrtuar incidentin dhe ka marrë vendim që Ronaldo të mos përballet me asnjë ndëshkim.
Al-Nassr, ndërkohë, u gjobit për shkak të hyrjes së lojtarëve me vonesë në fushë në fillimin e pjesës së dytë. Ronaldo i shpëtoi dënimit pasi u shqyrtua vetëm ndeshja zyrtare e futbollit dhe jo videot që janë publikuar në rrjetet sociale.
Al-Nassr është përpjekur që të zbusë situatën për gjestin e Ronaldos, duke thënë se ai kishte pësuar lëndim në pjesën i ndjeshme afër ijëve.
“Ronaldo pësoi një lëndim. Sfida e tij me Gustavo Cullar, lojtarin e Al-Hilal, filloi me një goditje në një zonë shumë të ndjeshme. Ky është informacion i konfirmuar nga mjekët. Sa i përket shpjegimeve të tifozëve, ata janë të lirë të mendojnë çfarë të duan”, tha Al-Nassr në një komunikatë për media.
Reagimi i së martës nuk ishte hera e parë që Ronaldo ka shprehur ndjenjat në atë mënyrë pas talljes nga tifozët që përfshinin rivalin e tij të përjetshëm argjentinas.
Por gjesti i tij ka pasqyruar edhe zhgënjimin e tij për pikët e humbura për Al-Nassr, i cili kohët e fundit kanë humbur shumë pikë në garën për titull në kampionatin saudit dhe ngel tri pikë mbrapa liderit Al-Ittihad, i cili ka një lojë më pak.
Ronaldo i ka shënuar 11 gola në 13 ndeshje në Saudi Pro Ligë që nga transferimi nga Manchester United. Ylli portugez do të rikthehet në ndeshjen në shtëpi ndaj Al-Wehda më 24 prill në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit./Orselina Lazraj/

