Mbrojtësi rumun, Burca: E dija që Kosova do të ndalej nga Andorra, mirë për ne
Mbrojtësi rumun, Andrei Burca është ndarë tejet i lumtur me barazimin e djeshëm të Kosovës ndaj Andorrës.
"Dardanët" dëshpëruan duke u ndalur në një barazim 1:1 në "Fadil Vokrri", nga skuadra më e dobët në grup, Andorra.
Sidoqoftë, Burca për mediat lokale rumune ka thënë se e ka pritur një gjë të tillë dhe është tejet i lumtur me atë rezultat.
"A e di çfarë diskutuam pas ndeshjes tonë ndaj Andorrës? Ata nuk kishin asnjë gjuajtje. Ishin me karton të kuq, po. Holanda shënoi pas 40 minutave ndaj Gjibraltarit. Janë skuadra që japin jetën, vrapojnë dhe janë shumë agresivë. Kisha një ndjesi se Kosova do të barazonte dhe Izraeli do të mposhtej".
"Jemi shumë të lumtur që morëm gjashtë pikë. E nisëm shumë mirë dhe duhet ta vazhdojmë në qershor. Jemi të kënaqur se Kosova - Andorra përfundoi baras, na ndihmon", deklaroi ai, përcjellë “gsp.ro”.
Me barazimin ndaj Andorrës, Kosovës pa filluar mirë kualifikimi i vështirësohen gjasat për kualifikimin në Evropian.
Kosova fitoi një pikë të rëndësishme në udhëtim te Izraeli, por humbi dy të tilla në Prishtinë. Tani, ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”, e pastaj përballen me Bjellorusinë.