Mbappe: Trashëgimia e Mbretit Pele nuk do të harrohet kurrë
Kylian Mbappe ka qenë futbollisti i madh i radhës që ka reaguar pas vdekjes së legjendës braziliane Pele. Ai ka shkruar se trashëgimia do të mbahet mend përgjithmonë.
Sot, në moshë 82-vjeçare vdiq njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, pasi vuante nga sëmundja e kancerit.
Bota e futbollit njëzëri ka filluar të reagojë duke shprehur ngushëllimet për familjen e legjendës braziliane, si dhe duke kujtuar tërë atë çfarë ai la pas vetës.
Nuk vonoi gjatë dhe erdhi edhe reagimi i yllit të PSG dhe kombëtares franceze, Kylian Mbappe. Ai publikoi një mesazh të shoqëruar me një fotografi që kishte shkrepur së bashku me legjendës braziliane tashmë të ndjerë.
“Mbreti i futbollit na la trashëgiminë e tij, e cila nuk do të harrohet asnjëherë. Pusho në paqe”, shkroi Kylian Mbappe në llogarinë e tij në “Instagram”.
Të dytë kishin një raport vërtet të veçantë. Kjo fotografi shkrepej pas një takimi që kishin bërë më 2019. Për Mbappen, Pele ishte një idhull në vete dhe një udhërrëfyes për t’u ndjekur si futbollist.
Kujtojmë se për vdekjen e Peles kanë reaguar edhe një mori klubesh, si dhe futbollistë të rëndësishëm, nga Messi, te Ronaldo, Neymar e të tjerë.
Ndërkohë familja e të ndjerit ka kërkuar nga klubi brazilian Santos që ta tërheqë numrin 10 në shenjë nderimi për kontributin që kishte dhënë ai për këtë klub.
